Alkooli, aksidente edhe në det

10/10/2012 16:45

Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur është një prej arsyeve kryesore të aksidenteve rrugore, shumë prej të cilëve me pasoja humbje jetësh.

Megjithatë, ndërsa konsumi i pijeve është një praktikë e vjetër në botën e marinës, është e rrallë që një kapiten të ketë rrezikuar anijen e tij, duke e përplasur gjatë ankorimit në një port pasi ishte i dehur.

Ishte pikërisht kjo ajo që bëri 44-vjeçari Viatcheslav Poleshcuk, rusi i cili goditi dy herë pjesët e betonit të portit të Hullit, në Britani, përpara se të ndalohej që të tentonte të realizonte përsëri një tentativë ankorimi.

Pas zbritjes në tokë, testet treguan se kapiteni kishte tejkaluar me katër herë normën maksimale të lejimit të alkoolit dhe ishte aq i dehur, sa e kishte të vështirë të lidhte përgjigjet, pas pyetjeve që i drejtuan autoritetet portuale.

Megjithatë, pavarësisht rrezikut të mbytjes që iu kanos anijes 3 mijë tonëshe që ai drejtonte, mediat britanike nuk e kursyen sensin e humorit, duke thënë se “përsa kohë nuk janë të dehur kapitenët e nëndetëseve bërthamore ruse, atëherë gjithçka është në rregull”.

Top Channel