Gjendet varri i gruas më të pushtetshme të majave

09/10/2012 15:50

Një grup arkeologësh dhe historianësh amerikanë zbuluan në një lokalitet antik në Guatemalë, varrin e Kalomt’e K’abel, ose “Zonja K’abel”, mbretëresha luftëtare e qytetërimit klasik të majave në shekullin e VII pas lindjes së Krishtit.

Zbulimi u krye në qytetin antic El Peru-Ëaka rreth 75 kilometra në perëndim të Tikalit. Fillimisht u gjetën mjaft punime antike në qeramikë dhe bizhuteri të shumta. Duke patur parasysh kulturën e majave dhe ritualet e varrosjes së udhëheqësve të tyre, studiuesit dyshuan se bëhej fjalë për një varr-tempull të një udhëheqësi.

Pas thellimit të hulumtimit dhe pas gjetjes së mbetjeve skeletore, bashkë me orenditë e përdorura gjatë ceremonisë së varrimit, arkeologët amerikanë zbuluan se bëhej fjalë për varrin e mbretëreshës luftëtare, K’abel.

K’abel mendohet se ka udhëhequr majat për më shumë se 20 vjet, nga 672 deri në 692 së bashku me bashkëshortin e saj, K’inich Bahlam. Të dhënat historike tregojnë se ajo kishte komandën supreme të ushtrisë dhe konsiderohet si gruaja më e pushtetshme e dinastisë Kan që udhëhoqi majat për shekuj me radhë.

“Bëhet fjalë për një zbulim të rëndësishëm, jo vetëm për faktin se është varri i një figure me prestigj të jashtëzakonshëm në historinë e majave, por edhe sepse vazot e qeramikës të zbuluara në varr bashkë me gdhëndjet e tyre janë dokumente të vyera për të kuptuar më mirë qytetërimin e majave”, deklaron David Freidel, udhëheqë i misionit arkeologjik amerikan.

Top Channel