“SHIU ka përgjuar opozitën”

04/10/2012 19:40

Nënkryetar i komisionit parlamentar të sigurisë, Ilir Gjoni hodhi dyshime të forta se SHIU-n e ka përdorur pajisjet e përgjimit jo për qëllime ushtarake, por për të përgjuar opozitën.

Zoti Gjoni bëri publik urdhërin e ministrit Imami dhe vlerën e blerjes së pajisjes së përgjimit.

“Në bazë të urdhërit 146, datë 03.02.2011, për blerjen e pajisjeve operacionale për mbështetjen me inteligjencë të forcave tona ushtarake, të firmosur nga ministri, me vlerë 1,5 mln euro, urdhëri thotë që duhet të bëhet mbështetja e truipave tona jashtë vendit. Dihet me ligj, se interceptimet në Republikën e Shqipërisë, të paktën ato që njohim dhe jo ai i Saliut apo Imamit, autorizon përgjime vetëm me urdhër nga Gjykata apo Prokuroria e Përgjithshme”, deklaroi deputeti Gjoni, nga foltorja e Parlamentit.

Sipas Ilir Gjonit blerja e pajisjes është e pajustifikuar për aq kohë sa misionet shqiptare në Afganistan dhe Irak operojnë nën komandën e vëndeve të tjera që do të thotë se të dhenat intelegjente mblidhen dhe përpunohen nga këto vënde.

“Ministri i Mbrojtjes mund të justifikohet duke thënë se pajisjet nuk u përdorën brenda territorit shqiptar. Atëherë, ministri që ka qejf t’i referohet NATO-s dhe që fatkeqësisht e përdor aleancën si një mburojë për abuzime dhe korrupsion, mund të thotë nëse forcat shqiptare veprojnë autonome apo nën komandën e huaj. Fakt është se ne kemi qenë gjithmonë nën komandë, prandaj këto pajisje janë të panevojshme”, theksoi Gjoni.

Meqënëse ministri Arben Imami ka refuzuar kontrollin parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes, nënkryetar i komisionit parlamentar të sigurisë nga salla e parlamentit e ftoi të japë përgjigje nëse agjencia intelegjente e NATO-s është vënë në dijeni për blerjen e pajisjve të përgjimit.

Top Channel