Raporti për zgjedhjet demokratike

04/10/2012 19:50

Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi raportin për zgjedhje më demokratike.

“Zbatimi efektiv i normave të Këshillit të Europës mbetet një sfidë madhore për shumë vende anëtare. Parregullësitë e rënda e të përsëritura, të identifikuara nga një palë zgjedhje tek tjetra, ku autorët nuk vihen para drejtësisë e opinioni publik nuk informohet, i hap rrugën destabilitetit, dhunës, e krizës politike të qëndrueshmë”, deklaroi raportuesi Jean-Charles Gardetto.

Raportit i bashkangjiten  dhe tre opinione nga komitetet respektive për çështjet ligjore, barazisë gjinore, medias dhe emigracionit.

“Emigrantët përfaqësojnë sot 13% të popullsisë. Përballë këtij numri njerëzish gjithnjë në rritje, ne duhet t’ju mundësojmë këtyre personave që të marrin pjesë. Të akordohen të drejta active e passive ndaj atyre që janë resident të qëndrueshëm prej 5 vjetësh në një vend”, u shpreh përfaqësuesi italian Giacomo Santini.

Në raport, Shqipëria përmendet, përkrah vendeve problematike, për shpërdorimin e burimeve administrative gjatë zgjedhjeve, për sistemin partisan të administratës zgjedhore, përdorur nga partitë politike për bllokimin e procesit gjatë vitit 2009, për mungesën e pavarësisë editoriale të mediave gjatë zgjedhjeve , dhe për nivelin e ulët, nën 20%, të përfaqësimit të grave në politikë.

Lise Christoffersen, i grupit socialist norvegjez, deklaroi: “Të drejtat e Njeriut, demokracia, sundim i ligjit, – i dimë këto nocione përmendësh, edhe në gjumë. Por, raporti i zotit Gardetto tregon një hendek të madh mes teorisë e praktikës në disa vende anëtare. Për askënd nuk rezulton pozitive shpërdorimi i burimeve administrative, kontrolli i medias, blerja e votës, ndërhyrja në materialet e kutive të votimit. Intimidimi, kërcënimi apo dhuna nuk janë përbërësit e recetës për zgjedhje të lira e të ndershme.  Në misionet vëzhguese, ne raportojmë për secilin vend, por në këtë raport shohim situatën në tërësi. Progres është bërë, por lista e vendeve të këqija është dekurajuese, shumica prej tyre janë anëtarë prej më shumë se 10 vjetësh. Tani është koha të kapërcehet diskutimi, nevojitet veprim. Masat rreshtohen në raport. Përdorini ato. Njerëzit tuaj e meritojnë”.

Asambleja Parlamentare monitoron që prej vitit 1989 zgjedhjet,  veçanërisht në  vendet e Europës Lindore dhe Juglindore, që sipas raportuesit, nuk kanë traditë për zgjedhje demokratike.

Top Channel