" /> ">

“Facebook” kalon një miliardë përdorues

04/10/2012 16:10

“Facebook” përdoret tashmë më shumë se nga një miliardë njerëz çdo muaj, informoi rrjeti shoqëror më i përdorur në botë.

Kalimi i këtij rekordi u bë publik ditën e enjte nga themeluesi Mark Zuckerberg, në një intervistë të dhënë në një televizion amerikan.

Këta një miliardë njerëz, kanë hedhur deri tani në faqe mbi 219 miliardë fotografi, 1,13 trilion pëlqime dhe 17 miliardë caktime vendndodhje.

Me përmirësimet për përdorimin në celular dhe konkurrimin e “Google” si motor kërkimi, pritet që “Facebook” të vazhdojë rritjen e tij në vitet e ardhshme si një gjigant i internetit, ndonëse kuotimi në bursë gjatë vitit rezultoi i dështuar.

Si një përdorues i zakonshëm, edhe Zuckerberg shkroi në statusin e tij në “Facebook”: “Nëse po më lexoni, ju falenderoj që më jepni mua dhe skuadrës sime të vogël nderin e madh që t’iu shërbejmë. Të ndihmosh një miliardë njerëz që të lidhen midis tyre është e mrekullueshme, është arritja për të cilën jam më shumë krenar në jetën time”.

Disa muaj më parë, rrjeti shoqëror lajmëroi se numri i përdoruesve që shfletojnë profilin e tyre nga një celular, tejkaloi ata që përdorin një kompiuter, me rreth 600 milionë persona që përdorin tashmë celularët e tyre.

Megjithatë, numri i vërtetë i përdoruesve të “Facebook” është i vështirë të përcaktohet, pasi më parë kompania është akuzuar për mbajtjen e dhjetëra milionë llogarive “fantazmë”, të hapura nga njerëz që nuk i përdorin kurrë ato ose të përdorura si një llogari e dyfishtë.

Ne foto, perqindja e perdorimit te “Facebook”, mbi bazen e popullsise

Top Channel