Fundi i presidencës shqiptare të KiE

03/10/2012 00:10

Në Strasburg ka nisur punimet sesioni i vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i fundit për presidencën shqiptare të Komitetit të Ministrave, që përfundon mandatin më 9 nëntor të këtij viti.

Edmond Panariti, Ministër i Jashtëm tha:
“Presidenca shqiptare është vlerësuar shumë për seriozitetin, për cilësinë dhe numrin e aktiviteteve që ajo ka realizuar brenda mandatit të saj dhe kurorëzimi i presidencës shqiptare, pa dyshim, do të jetë aktiviteti shumë i madh që do të organizohet në datat 8 dhe 9 nëntor në Tiranë, kur nën moton “të bashkuar në diversitet” ne do të ftojmë në këtë aktivitet 47 ministrat e jashtëm të KiE dhe 18 presidentë. Do të jetë një format që vendi ynë nuk e ka pare. Si premisë e suksesit tonë ka qënë fakti se Sekretari i Përgjithshëm Jagland u takua me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, që është vendosja e mardhenieve institucionale, midis Këshillit të Europës dhe Kosovës, autoriteteve të Kosovës. Pritet së shpejti, e unë këtë ia kërkova në mënyrë të qartë zotit Jagland, që të takohet dhe me Ministrin e Jashtëm. Ne duam që Kosova të jetë gjithnjë e më afër Këshillit të Europës, pjesë e nismave rajonale”.

Për Kosovën, Ministri u pyet dhe gjatë raportimit para Asamblesë.

Lord Donald Anderson: “Gjatë Presidencës suaj, a ka ndonjë propozim konkret, që pak nga pak, të mund të sillet Kosova më pranë Këshillit të Evropës?”

Panariti: “Mendoj se banorët e Kosovës duhet të përfitojnë të njëjtat të drejta dhe standarte si qytetarët europiane. Këshilli i Europës po zbaton, në mënyrë neutrale ndaj statusit e në përputhje me rezolutën e OKBve 12 44,  disa aktivitete për të promovuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë. Një pjesë e madhe e aktiviteteve në Kosovë bashkë-financohen nga Bashkimi Europian, e një pjesë tjetër nga EULEX, si psh lufta kundër krimit ekonomik.Pra, kjo është ajo që ne po bëjmë aktualisht për të sjellë Kosovën më pranë Këshillit të Evropës. ”   

Ministri foli për zgjedhjet në Bjellorusi, reformën në gjykatën e të drejtave të njeriut, çështjet e tolerancës fetare dhe ratifikimin e konventave për mbrojtjen e fëmijëve dhe grave

Panariti: “Do të kishim dashur të bënim më shumë, por janë vetëm 6 muaj, jo 1 apo 2 vjetë, ndaj do t’i lëmë sfidat tona për vendin tjetër, Andoran, që të bëjë reston”.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel