470 milion euro për Villa Certosa

03/10/2012 15:40

Berlusconi është gati të nxjerrë në shitje Villa Certosa, kompleksin e bërë të famshëm pas fotove të publikuara në media italiane e mbarë botërore për festat e shfrenuara të ish-kryeministrit.

Sic shkruajnë mediat e përtej Adriatikut, për blerjen e kompleksit ka shfaqur interes një miliarder rus që ka ofruar plot 470 milion euro, një shumë kjo e paprecedentë në histori në shit-blerjet imobilare.

Përflitet se ofertuesi është një president i njërit prej ish-republikave sovjetike, një miliarder që ka shtrirë aktivitetin e tij në shumë degë të ekonomisë, por baza mbetet nafta dhe gazi.

Gazeta “Libero” shkruan se shitja pritet të realizohet brenda pak ditëve. Kompleksi përbëhet nga 120 hektarë park pyjor, 4500 metër katrorë ndërtesë, përfshirë këtu pishinë të hapur e të mbyllur, mini-fushë futbolli, mini-park ujor, e deri tek një vullkan “bocet”.

Por lajmi është përgënjeshtruar nga avokati i Berlusconi-t, Niccollo Ghedini. Ghedini tha se Villa Certosa nuk është në shitje ndaj nuk ka asnjë përpjekje apo bisedime për një gjë të tillë. Pavarësisht këtij përgënjeshtrimi, ka nga ata që mendojnë se shuma e përftuar nga miliarderi rus, do të ndihmonte Berlusconi-n të paguante gjobat prej 564 milion euro të vendosura nga gjykatat italiane.

Top Channel