Ndikimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit është në rënie dhe vende të tjera si Rusia, Izraeli dhe Turqia po përpiqen të zënë hapësirën e krijuar.

I këtij mendimi është eksperti i çështjeve ballkanase, Gordon Bardosh, i cili në numrin e sotëm të “National Interest” shkruan se Ballkani po kalon një tranzicion të paqëndrueshëm, me fuqitë e reja që po rrisin ndikimin dhe ato të vjetra që po e humbasin.

“Periudha nga Marrëveshja e Dejtonit e deri tek pavarësia e Kosovës e ka përcaktuar Ballkanin si një rajon nën “Pax Americana”, gjatë të cilës liderët evropianë pranuan vijat e Uashingtonit për sigurinë e rajonit”, shkruan Bardosh.

Sipas tij, një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur edhe Moska, që dha konsensusin për Bosnjen dhe për rezolutën 1244 të Kosovës.

“Ky konsensus ndërkombëtar mbi zhvillimet politike në Ballkan dhe strukturën e sigurisë u thye pasi Kosova shpalli pavarësinë, diçka që Moska kishte përsëritur se nuk do ta pranonte. Edhe BE-ja mbetet e ndarë në këtë çështje, me pesë anëtare të saj që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë analisti.

Sipas tij, me thyerjen e konsensusit ndërkombëtar, SHBA nuk zotëron më mjete diplomatike, ekonomike ose ushtarake për të promovuar ndryshimet pozitive në rajon.

Për rrjedhojë, shkruan Bardosh, humbja e ndikimit amerikan në rajon përputhet me krizën e eurozonës, që ka bërë që Brukseli të mos i japë perspektivë të qartë evropiane Ballkanit.

“Fundi i mbikëqyrjes amerikane të Ballkanit dhe preokupimi i BE-së për problemet e veta kanë krijuar një vakum politik në Evropën Juglindore dhe duke përfituar nga kjo situatë, një numër fuqish po nxitojnë që ta mbushin boshllëkun politik dhe atë të sigurisë”, shkruan më tej Bardosh.

Top Channel