Sëmundjet urologjike më të përhapura në Shqipëri

27/09/2012 17:50

Cdo komb ka karakteristikat specifike që e dallojnë. Gjuha, traditat, por mesa duket edhe tipologjia e sëmundjeve.

Sipas statistikave, ajo nga çfarë vuajnë më së shumti shqiptarët janë sëmundjet urologjike, që kanë të bëjnë me infeksionet urinare dhe me një dendësi më të madhe haset patologjia e gurëve në veshka. Sipas mjekut urolog pranë Spitalit Amerikan, Ened Kacorri, ka ndryshuar shumë vitet e fundit edhe trendi i sëmundjeve tumorale: “Në Shqipëri kohët e fundit janë shtuar tumoret e aparatit urinar. Është ulur dhe mosha ku janë parë këto tumore.”

Sipas specialistëve, ndryshimi i cilësisë së jetës vitet e fundit ka bërë që të ulet shumë mosha e të prekurve nga këto sëmundje: “Janë më të shpeshta tumoret e veshkave dhe të fshikëzës së urinës.”

Por pavarësisht dendësisë së madhe të shfaqjes së këtyre sëmundjeve, mjekët vërejne se shqiptarët kanë një kulturë të ulët shëndetësore. Shpesh paraqiten tek specialisti atëherë kur nuk ka shumë shpresë për ndihmë mjekësore.

Kanceri i prostatës, vrasësi kryesor i burrave në botë

Kanceri i prostatës konsiderohet në botë si shkaktari kryesor i vdekjes së meshkujve. Cdo vit 117 burra në 100 mijë preken nga kjo sëmundje.

Praktikisht të dhënat tregojnë se 30% e burrave mbi 50 vjeç vuajnë nga kanceri i prostatës. Me rritjen e moshës rritet edhe risku për ta patur këtë patologji.

“Një përqindje shumë e madhe e meshkujve 70-80 vjeç do kenë probleme me prostatën. Pas moshës 45-vjeçare prostata zmadhohet, ndaj çdo mashkull duhet të shkojë patjetër tek mjeku”, shprehet mjeku Ened Kacorri.

Faiku është 50 vjeç. Ai nuk ndjen shqetësime specifike në lidhje me prostatën, por është drejtuar tek Spitali Amerikan për një kontroll rutinë. Nga ky kontroll doli se Faiku ka probleme me prostatën.

Mjafton një vizitë e thjeshtë për ta kapur në kohë këtë sëmundje dhe sipas mjekëve gjasat janë shumë të mira për trajtim kur ai kapet herët.

Statistikat në botë tregojnë se 2.4% e meshkujve nga mosha 41-50 vjeç preken nga kanceri i prostatës. Nga 51-60 vjeç vuajnë 13.3%  e kësaj gjinie. 61-70 vjeç vuajnë 46.9% , ndërsa nga 71-80 vjeç vuajnë 53.4 % e burrave.

Historia e një të riu me tumor në veshka

Beni është 40 vjeç. Ai sapo ka kaluar ankthin më të madh që mund të përjetojë një njeri: frikën se mund të humbte jetën.

Pak muaj më parë ai është diagnostikuar me tumor në veshkë. Një takim për të shumë rastësor me sëmundjen, pasi Beni u drejtua në spital për një kontroll të zakonshëm.

“E kapa sëmundjen në një kontroll rutinë. Tumori nuk ishte shumë i avancuar”, tregon Beni.

Gjithkush do të gjendej keq nëse mëson lajmin se një sëmundje agresive po zhvillohet në trup. Diagnoza e vështirë solli në mendjen e 40-vjeçarit përjetimet më ekstreme.

“U trishtova, por u bëra i fortë sepse duhej ta përballoja”, kujton Beni.

I asistuar në ndërhyrje nga një prej specialistëve më të mirë, prof. dr. Hakki Perk, shef i urologjisë pranë Spitalit Amerikan, Beni duket se e ka fituar sfidën e parë me sëmundjen. Tani ai i është rikthyer normalitetit.

Megjithatë befasia me të cilën e përballi diagnoza e tumorit të veshkave, tanimë e ka bërë më vigjilent të riun. Ai duhet të mbahet gjithmonë nën vëzhgim pasi sëmundja mund të godasë sërish.

Top Channel