Australia u shpall luftë peshkaqenëve

27/09/2012 00:00

Sado të bukura e të preferuara nga serfistët, brigjet australiane kanë një armik të madh që e zbeh reputacionin e tyre: peshkaqenët.

Sulmet vdekjeprurëse të grabitqarëve të ujit në këto zona janë një problem i vazhdueshëm e së fundi edhe i përshkallëzuar. Një seri incidentesh të përfunduara me jetë të humbura ka detyruar autoritetet në Australinë Perëndimore të mendojnë për disa masa, qëllimi i të cilave do të jetë ulja e rrezikshmërisë.

Një paketë fondesh prej 7 milionë dollarësh është alokuar për këtë qëllim, përfshirë këtu paratë që derdhen për ndjekjen, e po të jetë e nevojshme, edhe vrasjen e peshkaqenëve të konsideruar “kërcënim” për plazhistët.

Norman Moore, ministër i peshkimit, deklaroi: “Do të ketë gjurmim të peshkaqenëve, verifikime se ku po drejtohen e në ç’raport qëndron destinacioni i tyre me plazhin. Nëse i afrohet bregut, do të ndiqet, brenda gjasave do të kapet e do të lihet ashtu derisa të ngordhë.”

Vetëm këtë verë ka pasur 6 sulme të peshkaqenëve në këto brigje dhe 5 prej tyre kanë rezultuar fatale. Incidentet u pasuan nga thirrje për vrasjen e çdo peshkaqeni që noton në ato ujëra, por autoritetet u detyruan ta përjashtonin një mundësi të tillë pas protestave të grupeve ambientaliste dhe ta reduktojnë rrezen e veprimit vetëm tek ata grabitqarë që i afrohen plazhistëve. Në disa prej sulmeve të fundit janë përfshirë peshkaqenë të bardhë, të cilët konsiderohen specie në mbrojtje.

Top Channel