Përdorimi i metodave kontraceptive në Shqipëri

25/09/2012 17:30

Një në katër shtatzani ndërpritet në Shqipëri. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, në prag të ditës botërore të kontracepsionit, tregojnë se ende nuk i njohim metodat moderne të cilat do shmangnin shtatzanitë e padëshiruara.

Mira Asllani, punonjëse sociale për fëmijët e braktisur, tregon trendin në vite të fëmijëve të braktisur: “2011 ka qenë në rritje, ndërsa 2012 ka pasur një rënie. Gjithsesi kjo gjë do të shihet në fund të vitit.”

Por cilat janë arsyet që i shtyjnë këto nëna të braktisin fëmijët e tyre.

Mira Asllani shprehet: “Bëhet fjalë për fëmijë jashtë martese, pra shtatzani të padëshiruara.”

Sipas studimit të ISHP, vetëm 11% e shqiptarëve kujdesen për të shmangur një shtatzani të padëshiruar, ndërkohë që pjesa tjetër, specifikisht 95% e burrave në moshë riprodhuese, besojnë tek metoda tradicionale e tërheqjes.

Dritan Shpati, mjek obstetër-gjinekolog si edhe shef i Qendrës për Shëndetin e Gruas pranë maternitetit Mbretëresha Geraldinë tregon se krahasuar me një vit më parë shifrat janë në rënie, por mungesa e informacionit vazhdon të jetë në nivele të larta: “Tek ne vijnë adoleshentë më shumë dhe çifte të reja që nuk preferojnë të kenë fëmijë për arsye të ndryshme në një periudhë kohe të caktuar. Ose vijnë çifte me 3-4 fëmijë që nuk duan të kenë më fëmijë.”

Fushatat sensibilizuese për kontracepsionin fokusohen në fuqizimin e të rinjve që të mendojnë paraprakisht dhe të vendosin kontracepsionin në planet e tyre për të ardhmen, të ushtrojnë të drejtën e tyre për të kërkuar informacion të saktë dhe të paanshëm rreth kontracepsionit, për të parandaluar shtatzanitë e paplanifikuara dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme.

Sipas të dhënave nga ISHP, meshkujt raportojnë nivele më të ulëta të njohurive për kontraceptivët, pra janë shumë më pak të informuar për metodat moderne të kontracepsionit se sa gratë. Ndërkohë që metoda kontraceptive më e njohur është kondomi.

Nëse merr informacionin për metodat moderne të kontracepsionit, për t’i gjetur është më e thjeshtë. Lumturi Merkuri, specialiste e shëndetit riprodhues pranë ISHP na thotë se tashmë ato janë në çdo rreth e komunë të vendit: “Shërbimet e planifikimit familjar ofrohen në të gjithë vendin edhe në nivele komune. Ofrohen falas katër metoda kontraceptive dhe këshillime për kontracepsionin.”

Dita  Botërore e Kontracepsionit është një fushatë mbarëbotërore për një botë ku çdo shtatzëni është e dëshiruar.

Top Channel