Aknet trajtohen edhe me kontraceptivë

25/09/2012 17:40

Aknet janë klasifikuar si një sëmundje e lëkurës. Ato shfaqen nga shkaqe të ndryshme si faktorët gjenetikë e psikologjikë, fluksi hormonal, përdorimi i kozmetikës së gabuar, ushqyerja e keqe etj.

Trajtat e akneve ndryshojnë dhe variojnë nga karakteristikat dhe përmasat. Terapitë korrektuese mbeten shumë të rëndësishme për të parandaluar aknet e reja dhe për të trajtuar zonën problematike.

Ndër metodat më efikase në rastet kur shkaku i akneve është faktori hormonal mbetet përdorimi i kontraceptivëve.

Në këtë intervistë mjekja dermatologe Orjana Janushaj, na tregon për efikasitetin e tyre: “Kontraceptivët e sotëm kanë veti anti-androgjenike, domethënë që luftojnë hormonet mashkullore që favorizojnë shfaqjen e akneve. Kontraceptivët kanë rol terapeutik në këtë rast.”

Por ky është një problem që mund të paraqitet dhe në moshën e rritur dhe pse me një frekuencë më të vogël, rreth 10% e grave nga mosha 30 deri në 35 vjeç. Mund të ndodhë gjatë një periudhe stresi psiko-fizik. Shumë shpesh ekziston tendenca për ta nënvleftësuar këtë problem. Në të vërtetë një kërkim i studiuesve amerikanë thonë se 70% e personave nuk marrin asnjë lloj kure.

Është shumë e rëndësishme që të zhvillohet një vizitë me mjekun dermatolog e gjinekolog përpara se të marrësh vendimin për përdorimin e kontraceptivëve, pasi përveç anëve pozitive mund të shfaqen edhe efekte negative për të cilat personi duhet të jetë i përgatitur.

“Problemet në fillim mund të jetë dhimbje koke apo një fryrje e lehtë gjoksi që kalon për dy muaj”, shprehet mjekja.

Shpeshherë aknet sjellin shumë shqetësime psikologjike tek personat, veçanërisht në periudhën e adoleshencës. Për t’i evituar, vizita tek mjeku dermatolog duhet të kryhet në fazën fillestare të problemit.

Top Channel