Shqiptaro-amerikanët, pro Obamës

22/09/2012 19:35

Në Nju Jork, një grup shqiptaro-amerikanësh të njohur të komunitetit shprehën mbështetjen e tyre për rizgjedhjen e kandidatit demokrat Barack Obama.

Në këtë grup përfshihet edhe ligjvënësi Eliot Engel. Ata bënë thirrje që edhe shqiptarë të tjerë të mbështesin rizgjedhjen e presidentit Obama.

“Zëri i Amerikës” citoi njeriun që ka drejtuar organizatën “DC Vote” në Uashington, Ilir Zheka të thoshte se, presidenti Obama është përpjekur të shpëtoje ekonominë e të ringjallë ëndrrën amerikane, por në të njëjtën kohë i ka dhënë përkrahje edhe shqiptarëve në Ballkan.

Politika e jashtme e Obamës konsiderohet se është në interes të paqes dhe të sigurisë, nga e cila mund të përfitojnë edhe shqiptarët.

Grupi përmendi mbështetjen që shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka dhënë komunitetit të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Aktiviteti u organizua në zyrën e fushatës së shefit te administratës amerikane në Nju Jork.

Kandidati për këshillin e qytetit të Nju Jorkut, Ken Biberaj i inkurajoi në këtë kontekst të gjithë shqiptarët që jo vetëm të votojnë për presidentin, por edhe të japin kontribute me fonde, të bindin edhe miqtë dhe familjarët e tyre që të mbështesin Obamën.

Top Channel