Ndërkombëtarët, OSBE dhe tiranizimi i Shqipërisë

22/09/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Në Shqipëri nuk ka pasur dhe duket se nuk do të ketë
zgjedhje të lira e të ndershme, sepse praktikat tiranike po pengojnë të
lindë ai sistem impersonal institucionesh shtetërore që garantojnë
zgjedhje të lira e të ndershme.

Në një përfundim të tillë mund të arrish edhe duke logjikuar mbi çka thuhet në raportin vjetor të OSBE-së mbi sfidën e zgjedhjeve të vitit 2013. Ndër të tjera, në këtë dokument gjejmë të zezë mbi të bardhë:

“Sikurse me përgatitjen dhe përmbushjen e reformës zgjedhore, në fund, përgjegjësia për përgatitjen dhe mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve mbetet më së shumti në duart e drejtuesve kryesorë partiakë. Ata kanë mundësi thuajse të pakufizuara për të zhvilluar zgjedhje që përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare; po ashtu, kanë kapacitetin për ta shkatërruar procesin në themel dhe për të zhbërë arritjet pozitive të procesit të reformës. Shpresohet se ata do ta përdorin pushtetin e madh, që u është dhënë, në mënyrë të përgjegjshme, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në OSBE dhe me aspiratat e qytetarëve shqiptarë”. Do të komentojmë, përmbledhtazi, se çka pohohet nga vetë OSBE, është një katastrofë e vërtetë për demokracinë shqiptare.

***

Karl Poper ka qenë i pari që ka kritikuar Platonin që e shikonte problemin themelor të politikës në pyetjen: Kush duhet të qeverisë shtetin? Mos vallë më “i miri” ose më “i dituri”. Sipas Poper, këta janë terma tepër relativë, ndërkohë që “nuk është aspak e lehtë të gjesh një qeveri mbi mirësinë dhe diturinë e së cilës mund të kemi besim të plotë”. Është kjo e vërtetë e pakëndshme, por realiste si çdo e vërtetë, që duhet të na bëjë që, më shumë sesa të shpresojmë te mirësia e liderëve dhe qeveritarëve, të përgatitemi për të përballuar liderët e këqij, të cilët mund të ngjiten në pushtet edhe me votë demokratike apo të vjedhur. Prandaj rekomandon Poperi, pyetjen “Kush do të qeverisë?” duhet ta zëvendësojmë me pyetjen: Si duhet të organizohen institucionet politike, që qeverisës të këqij ose jo kompetentë të parandalohen nga të bërit shumë dëm? Mjerisht, në këta më shumë se 20 vjet publiku shqiptar, por edhe jo pak nga misionet ndërkombëtare, e kanë pasur mendjen se “kush do të qeverisë?” dhe jo te krijimi i atyre institucioneve që do të pengonin këdo që mund të vinte në pushtet, t’i shkaktonte shumë dëme demokracisë. Por kjo do të thotë të tolerosh që pushtetet politike të kenë sovranitet të pakontrolluar apo pushtet të pakufizuar, sikundër shohim në rastin e Kryeministrit Berisha, ndërkohë që thelbi i lirisë, sikundër pohonte Xhon Stjuart Mill, ka të bëjë me kufijtë e pushtetit qeverisës. Prandaj, jo rastësisht, kemi ardhur në momentin kur, mbi dy dekada pas rënies së diktaturës komuniste, OSBE detyrohet të pohojë se ekzistojnë liderë partiakë “me mundësi të pakufizuara”, me “pushtet të madh”, me kapacitet për ta shkatërruar të gjithë procesin zgjedhor. A s’është njësoj si të pohosh se ke lejuar që të rritet një përbindësh, një Leviatan?

***

Raporti i OSBE-së vëren se ka pasur sukses në kryerjen e reformës zgjedhore, por çuditërisht, në fund, mbërrin prapë te pohimi se gjithçka do të varet nga vullneti i liderëve politikë. Po ku qëndron suksesi i një reforme institucionale veçse në krijimin e një situate apo mjedisi që i pengon liderët të bëjnë sipas qejfit? Por gjërat nuk janë kështu dhe prandaj OSBE lutet dhe shpreson që liderët politikë do ta përdorin gjithë pushtetin e madh që kanë akumuluar, në përputhje me aspiratat e qytetarëve shqiptarë! Flet për në tërësi për “liderët politikë” kur dihet se përgjegjësia kryesore për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme i takon qeverisë. Nëntekstualisht kuptohet se OSBE ushqen shpresa që politikani Berisha, famëkeq që në krye të herës për manipulimin e gjithfarëllojshëm të zgjedhjeve, do organizojë zgjedhje të lira e të ndershme nisur nga një mirësi që s’dihet se nga do t’i lindë. Poper shkruan: Mua më duket çmenduri të mbështesim të gjitha përpjekjet tona politike mbi një shpresë të dobët të të qenët i suksesshëm në gjetjen e qeverisësve të shkëlqyer ose dhe kompetentë”. OSBE nuk thotë se Kryeministri Berisha është qeveritari i shkëlqyer. Nuk thotë as edhe se ai është tiran. Por pikërisht për këtë, të bazuarit e shpresave për zgjedhje të lira e të ndershme te Berisha dhe jo te sistemi i institucioneve që duhet të kufizojnë, balancojnë dhe kontrollojnë Berishën, është më keq se thotë Poper, është çmenduri në katror.

 

***

OSBE shpreson që liderët politikë do veprojnë në përputhje me “aspiratat e qytetarëve shqiptarë”. Kjo nuk do të përbëjë asnjë problem për Berishën nëse i grabit dhe manipulon zgjedhjet sikundër pritet. Ai ka pas vetes aq masa fanatikësh të fiksuar sa për të organizuar mitingje dhe antimitingje në mbështetje të zgjedhjeve të vjedhura. Edhe diktatori më i keq nuk mbetet pa mbështetës, që i paraqet si “popull”, deri në çastet e fundit. Dhe a do të ishin këto turma provë konkrete e kënaqjes së “aspiratave të qytetarëve” nga zgjedhje të vjedhura? S’do ishte çudi që për disa burokratë në Bruksel, po. Gjithsesi, nëse zgjedhjet janë të vjedhura apo të manipuluara, nuk është çështje turmash dhe ovacionesh, por institucionesh. Janë një rrjet i tërë komisionesh zgjedhore, mjerisht të kapura nga partitë, që duhet të shërbenin si garanci. “Është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) lufta për kreun e të cilit do nisë shumë shpejt. Është Kolegji Zgjedhor që në zgjedhjet e kaluara bëri, në favor të pushtetit, gjëra që i denoncoi edhe OSBE. Por sa para bën. Vjedhësit e votës mbetën në pushtet. Dhe tani rezulton se ruajnë “pushtet të madh” për ta shkatërruar prapë procesin. Por çfarë është kjo përveçse diktaturë e votës së vjedhur? Ku është demokracia kur zgjedhjet janë vetëm procesi formal, maskimi me zgjedhje dhe votë i një vjedhjeje të paralajmëruar të pushtetit? Ka dy lloj tipa qeverish thotë Poper. Tipi i parë, ai demokratik, konsiston në qeverisjen prej të cilës mund të çlirohemi pa gjakderdhje, me rrugën e zgjedhjeve të përgjithshme. Nën këtë tip qeverie, institucionet shoqërore ofrojnë mjete me anë të cilave qeverisësit mund të shkarkohen nga të qeverisurit ndërkohë që traditat sociale, sigurojnë që këto institucione nuk do të shkatërrohen lehtë nga ata që janë në pushtet. Tipi tjetër i qeverisë është ai tiranik. Ky tip i dytë, “konsiston në qeverisjen prej së cilës të qeverisurit nuk mund të çlirohen veçse me anë të një revolucioni të suksesshëm – d.m.th. në shumicën e rasteve, aspak” – sqaron Poper. Dhe një vend arrin në këtë lloj qeverisjeje kur toleron rrënimin e të gjithë institucioneve që kufizojnë qeverinë. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri për një sërë shkaqesh. Ndër të tjera edhe sepse këtu nuk ka tradita sociale që pengojnë shkatërrimin e institucioneve të demokracisë. Por duke njohur këtë dobësi të shqiptarëve, nuk mund të mos kenë një pjesë të fajit edhe ndërkombëtarët (përfshi OSBE) që në vite kanë toleruar liderët politikë të shkatërrojnë tiranikisht balancat institucionale me anë pseudoreformash si ajo e amendimit të Kushtetutës në vitin 2008 të cilën ata e përshëndetën si historike! Goditjet e kësaj reforme po e pëson institucioni i Presidentit që u zgjodh (natyrisht në përputhje me ligjin) njëanshmërisht nga shumica, do ta pësojë ai kryeprokuror që do zgjidhet po njëanshmërisht (ironikisht po në përputhje me ligjin) nga shumica, do ta pësojë drejtësia e qeverisur nga një kryetar i njëanshëm i KLD. Eshtë një, tirani tashmë e paketuar me ligj, që arriti një tjetër sukses duke imponuar heqjen i imuniteteve për deputetët dhe gjyqtarët pa restauruar balancat e nevojshme institucionale. Një operacion tjetër në Kushtetutë, që edhe pse i lajmëruar në median vendase me pasoja për lirinë a aktivitetin politik dhe pushtetin e drejtësisë në vend, u nxit nga ndërkombëtarët si “domosdoshmëri” për luftën kundër korrupsionit dhe integrimin. Kohët do provojnë shumë shpejt se duke bërë një gjë të tillë, ndërkombëtarët kanë garantuar që institucionet të shkatërrohen shumë lehtë nga kush qeveris dhe se nuk kanë mbështetur evropianizimin, por tiranizimin e Shqipërisë. Dhe që kur ëndrra e integrimit të jetë varrosur, të lajnë duart duke shkarravitur në raportin e fundit, që çuditërisht do mbajë edhe ai cilësimin “i progresit”: Ishte faji i liderëve politikë!

Gazeta “Shqip”

Top Channel