Në kujtim të Nënë Terezës

19/09/2012 16:00

Një ekspozitë kolektive me në qendër figurën e Nënë Terezës në 15-vjetorin e largimit të saj nga jeta. 12 artistë të rinj kosovarë sollën në Romë kujtimin e kësaj figure madhështore me një aktivitet ku qenë të pranishëm përveç drejtorit të shtëpisë botuese të Vatikanit, atë Giuseppe Costa, deputeti Carlo Casini dhe disa kritikë të shquar arti.

“Ky i sotmi është një event i veçantë sepse bashkon kujtimin e Nënë Terezës në këtë ekspozitë të këtyre artistëve të rinj kosovarë me praninë e përfaqësuesve edhe të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kroacisë. Arti bëhet vërtet një mesazh unik. Mjafton të shohësh këto vepra që shprehin frymën që e ka shtyrë Nënë Terezën në shërbim të të varfërve. Në këtë kuptim mesazhi që jepet është një mesazh për të gjithë. Aq më shumë që mbërrin nga një grup piktorësh që nuk janë me formim katolik, por që kanë gjetur në art këtë pikë-takimi me Nënë Terezën dhe me të tjerët. Në këtë rast, arti dhe kultura është një element takimi dhe dialogu”, u shpreh atë Giuseppe Costa.

Ekspozita kolektive me titull “Lapsi i Zotit nëpërmjet artit”, titull që citon mënyrën sesi Nënë Tereza e konsideronte vetveten, u inaugurua nga ambasadorja e Kosovës në Romë, Zonja Bukurie Gjonbalaj.

Veprat, të realizuara me teknika të ndryshme, sjellin këndvështrime të larmishme të figurës së asaj që shpesh besimtarët e quajnë “Nëna e mbarë botës”.

“Ka pasur shumë sukses kjo ekspozitë. Edhe kritikët e artit e kanë vlerësuar. Këto piktura janë të realizuara nga artistë islamikë dhe kjo është diçka shumë e mirë”, deklaron Gjon Kolndrekaj, organizuesi i ekspozitës.

Top Channel