Super shitje me fotot e Dukeshës

18/09/2012 03:00

Revista “Closer” në Paris, ajo që publikoi fotot e dukeshës së Cambridge-it duke shijuar gjysëm e zhveshur rrezet e diellit larg syve të publikut, por me sa duket jo të paparacëve, po shitet si buka e ngrohtë në kryeqytetin francez dhe kërkesa më e madhe vjen nga turistët britanikë.

Kushdo që kërkon numrin në fjalë, duhet të kërkojë gjatë, thotë Reuters, sepse duket kopjet kanë mbaruar, të rrëmbyera nga kuriozë, koleksionistë dhe sidomos vizitorë nga Britania.
       
“Mora nja 30 copë, por brenda një orë e gjysmë, u blenë të gjitha”,tha Jeremy Alluard, pronar kioske.

Edhe rezervat kanë shterruar, e Alluard thotë se nuk ka shanse për ndonjë furnizim tjetër. Shumë nga blerësit kanë qenë kureshtare për zhurmën e madhe që u bë në media lidhur me padinë e paprecedent për shkelje të privacisë që familja mbretërore britanike paraqiti në gjykatat franceze.

Por sic sqaron pronari i një kioske tjetër aty pranë, revistën e kanë blerë më së shumti anglezët, për shkak se në Britani, botimi i këtyre fotove është ndaluar.

Fotografitë gjysmë-nudo të Kate Middletone-it, e cila mendohet se do të jetë Mbretëresha e ardhshme e Anglisë, shkaktuan zemërim në oborrin mbretëror, por editorialistët thonë se të tilla sensacione shiten dhe njerëzve u pëlqen të shokohen.

Në një botë si kjo e sotmja ku privacia është zhdukur, këshilla e tyre për personat e famshëm është e thjeshtë: Mos bëni banjo dielli të zhveshur!

Top Channel