Shteti pa universitete

23/08/2012 01:25

Qeveria në Sri Lanka, ishulli-shtet në Oqeanin Indian, mbylli pothuajse të gjithë universitetet e vendit për një periudhë të pacaktuar kohore, pas mosmarrëveshjeve në lidhje me të ardhmen e edukimit në vend.

Akademikët prej dy muajsh kishin shpallur një grevë të përgjithshme, duke akuzuar qeverinë për ndërhyrje në punët e arsimit të lartë dhe duke kërkuar investime më të mëdha për edukimin.

Sipas tyre, autoritetet kanë lënë “në errësirë” edukimin, duke lënë Sri Lankën “pa asnjë shpresë për një të ardhme më të mirë”.

Prej disa dekadash, administrimi i universiteteve ka qenë një burim konfliktesh në shtetin me 20 milionë banorë, duke inkurajuar edhe luftrat e përgjakshme civile në vitet 1970-80.

Ademikët nisën një grevë në fillim të korrikut për t’iu kundërvënë planeve të qeverisë për privatizimin e shkollave të larta, që kanë qenë gjithmonë të financuara nga shteti dhe pa pagesë.

Si rrjedhojë, qeveria qëndrore shpalli ditën e mërkurë mbylljen e 13 prej 15 universiteteve në të gjithë vendin, duke vendosur në rrezik zhvillimin e vitit të ardhshëm shkollor.

Sipas ekspertëve, kjo është një formë presioni qe qeverisë për të bindur pedagoget që të tërhiqen nga kërkesat e tyre, por për momentin, nuk ka shenjë të zgjidhjes së situatës.

Nëse asnjë rrugëzgjidhje nuk do të gjendet, Sri Lanka rrezikon të shndërrohet në shtetin e parë të botës virtualisht pa arsim të lartë.

Top Channel