62-vjeçarja Diana Nyad ndërmori përpjekjen e radhës për t’u shndërruar në personin e parë që noton për 166 kilometër në det duke përshkruar vijën detare që lidh Kubën me Floridan në Shtetet e Bashkuara.

Nyad u nis nga Havana pasditen e së shtunës dhe nëse gjërat do të ecin ashtu sic i ka parashikuar ajo dhe skuadra e saj, do të mbërrijë në brigjet amerikane ditën e martë.

Përvec distancës së stërmadhe që duhet të përshkojë me not, 62-vjeçarja ka marrë përsipër edhe riskun duke notuar pa një mbrojtje të mirëfilltë kundër peshkaqenëve dhe kafshëve të tjera grabitqare që rezervon bota nënujore.

Kjo është përpjekja e katërt e notares amerikane, e cila ka dështuar në tre të parat. Shtatorin e vitit të kaluar ajo u detyrua të braktisë misionin e saj për shkak të sulmeve nga peshq të vegjël grabitqarë, ndërsa në një tjetër përpjekje pak vite më parë la në mes udhëtimin për arsye shëndetësore.

Nyad u detyrua të shtyjë me 16 orë nisjen e saj për shkak të motit të keq. Pak para nisjes ajo tha për mediat se ndjehej shumë e emocionuar dhe se ishte e përgatitur për të realizuar misionin e saj, e vetëdijshme për rreziqet që i kanosen.

Top Channel