Një 58-vjeçar i prekur nga një sëmundje e rrallë që e bën të jetë i zgjuar dhe i vetëdijshëm, por pa pasur asnjë kontroll mbi muskujt e paralizuar të trupit, shpërtheu në lot kur një gjykatë në Britaninë e Madhe i hoqi të drejtën të vetvritej.

Tony Nicklinson vuan prej shtatë vitesh nga sindroma e “kyçjes në vetvete”, e cila bën që e vetmja gjë që ai mund të ketë kontroll mbi trupin e tij të jenë sytë.

Britaniku nuk është në gjendje të flasë dhe të lëvizë asnjë pjesë të trupit, ndërsa i duhet asistencë e vazhdueshme dhe e plotë për të vazhduar të jetoje në këtë ferr në të cilin ndodhet.

Sipas bashkëshortes së tij Jane, e cila kujdeset për 58-vjeçarin, vendimi i gjykatës e dënon Tonyn me “burgim të përjetshëm brenda trupit, me mungesë dinjiteti dhe mjerim”.

Nicklinson pësoi një infarkt ndërsa ndodhej në një udhëtim pune në Athinë, në vitin 2005.

Goditja në zemër i shkaktoi sindromën, që e ka lënë tërësisht të paralizuar në çdo pjesë të trupit, ndonëse ai është plotesisht i aftë mendërisht dhe në gjendje të kuptojë situatën në të cilën ndodhet.

Prej dy vitesh, i sëmuri kishte ngritur një çështje në gjykatë, duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të Britanisë që të lejonte mjekët ta asistonin në vetvrasje, të cilën ai nuk mund ta kryejë dot për shkak të kufizime fizike.

Në bazë të legjislacionit aktual, nëse ai do të “asistohet” të vdesë, familjari apo mjeku që do ta bëjë këtë, mund të dënohet deri në burgim të përjetshëm për vrasje me paramendim.

Megjithatë, ditën e enjte, pas seancash të tëra gjyqësore, 58-vjeçarit iu dha lajmi më i hidhur në jetë… që nuk mund të vdesë.

Eutanazia, siç quhet “vdekja e asistuar” për arsye mjekësore, ndalohet me ligj dhe vetëm Parlamenti ka në dorë të ndryshojë këtë ligj.

Nëpërmjet një kompiuteri të posaçëm që e lejon të flasë, i sëmuri u shpreh në gjykatë: “Jam tërësisht i rënuar nga ky vendim. Edhe pse e njihja legjislacionin, shpresova gjithsesi që pas punës fantastike të avokatëve të mi dhe provës së mjerimit të skajshëm në të cilën ndodhem, i paaftë t’i marr jetën vetes, të lejohesha të paktën që të prehesha në paqe prej kësaj gjykate. Unë nuk po tentoj të ndryshoj legjislacionin, kërkoj vetëm mëshirë për një vdekje të denjë. Kështu, po më dënoni përjetësisht në poshtërim të përditshëm”.

Top Channel