Dështimi olimpik i Londrës

14/08/2012 20:05

Me mbërritjen në Tiranë të zyrtarëve dhe sportistëve të fundit u mbyll edhe aventura e Shqipërisë në Olimpiadën e Londrës.

11 sportistë shqiptarë në Olimpiadën e Londrës shkuan me një shpresë të madhe për mrekullinë: 7 sportistë të kualifikuar dhe 4 të tjerë që kishin marrë ftesë. Ndërkohë që e gjithë kjo parapërgatitje u parapri nga skandali i madh i dopingut të Erkand Qerimajt, kampionit të Europës që grumbulloi pikë edhe për të tjerët, por vetë mbeti jashtë, me vetëdije ose jo, ai rezultoi se kishte përdorur doping.

Megjithatë ekipi olimpik, Federata e Peshëngritjes dhe Komiteti Olimpik e kaluan në heshtje, thjesht Qerimaj u zëvendësua si emër. Po në heshtje kaloi edhe dorëzimi i flamurit që si asnjëherë tjetër nuk u dorëzua nga Presidenti i Republikës në ikje, Bamir Topi, por nga ministri i Kulturës, AldoBumçi.

Flamur që do të merrte goditjen e parë me pozitivitetin e një peshëngritësi, Hysen Pulaku, që pa nisur ende Olimpiada u bë edhe shembull publik nga organizatorët.

Mes 11 sportistëve kishte nga ata që shpresonin për medalje. Duke filluar nga Majlinda Kelmendi, për të cilën trajneri i saj Driton Kuka, theksoi veç faktit që nga Kosova do të marrë pjesë për Shipërinë, edhe refuzimin e ofertës së majme nga Azerbajxhani.

Por edhe Majlinda Kelmendi, shpresa ndoshta e vetme për medalje, i dha shumë shpejt lamtumirën Olimpiadës “Londër 2012”. Një tjetër shpresë e madhe ishte nënkampionia e Europës Romela Begaj.

Në peshën 58-kg, Romela Begaj nuk ngre dot më shumë se 216 kg në dygarësh, duke u renditur e 11-ta, 3 pozicione më poshtë se në Olimpiadën e Pekinit. Një tjetër dështim që për Federatën konsiderohet rezultat pozitiv, pasi ka përmirësuar rekordin personal, duke harruar kështu premtimin për medalje olimpike.

Deshtimi i fundit ishte tërheqja e atletes Klodiana Shala, në Olimpiadën e katërt të saj. Për mjekun Mel Ostreni, ne ishim të pafat, ose nuk e di si mund të quhet fakti i moszbulimit të problemit të saj në vertebra, edhe pse ishte kontrolluar këtu. Një tjetër dështim i laboratorit tonë mjekësor sportiv.

Notari Sidni Hoxha ishte ndër të paktët që shkonte për të përmirësuar kohën e tij personale, jo për medalje olimpike. Ashtu edhe Arben Kuçana, Noel Borshi, Endri Karina apo Adriatik Hoxha. Ndërkohë zyrtarë të KOKSH-it vazhduan ritualin e pushimeve olimpike. Këtë herë ishte Londra vendi për të dalë ndonjë foto me ndonjë personalitet, apo për të parakaluar në stadiumin Olimpik të Londrës duke e lënë Shqipërinë sërish një ndër katër ose pesë vendet e vetme europiane pa asnjë medalje.

“Duhet bërë një analizë e madhe”, thekson shefi i delegacionit olimpik, Viron Bezhani.

KOKSH dhe drejtuesit e tjerë kanë kohë për analizat post-olimpiadë deri në Brazil 2014. Ata mund të rikthehen në gjumin e tyre letargjik dhe problemet, justifikimet fajtorët dhe udhëheqësit do të jenë të njëjtët.

Top Channel