Guor Marial do të bëjë histori në ditën e fundit të Olimpiadës, ditën e dielë, pavarësisht rezultatit që do të arrijë në garën e maratonës.

Në fakt, ai është unik midis 10 500 atletëve që morrën pjesë në Lojra Olimpike, për faktin e thjeshtë se nuk konkurron për asnjë shtet.

Afrikani, sipas fjalëve të tij, “përfaqëson të gjithë botën”.

28-vjeçari do të marrë pjesë në konkurrim me një uniformë të zezë dhe gri, ndërsa në flamurin e përkatësisë së një shteti, për të do të shfaqet vetëm flamuri olimpik.

Një dekadë më parë, Marial u arratis nga një kamp refugjatësh lufte, në atë që sot quhet Sudani i Jugut, por që atëherë ishte vetëm një krahinë e Sudanit, ushtritë e të cilit shkretuan zonën dhe vranë me qindra mijëra qytetarë, për të përvetësuar rezervat e naftës.

Maratonomaku humbi 28 të afërm gjatë luftës dhe nuk di gjë për familjen e tij prej pothuajse dy dekadash. “Të rriteshe në një zonë lufte ishte e rrezikshme dhe e vështirë”, u shpreh atleti për mediat. “Vetëm më të fuqishmit mund të mbijetonin. Mund të mbijetoje një ditë, por pastaj mendoje për tjetrën. Duke u rritur në atë kamp, nuk e njihja botën e jashtme. Kur braktisa kampin, udhëtova në Kajro dhe më pas në SHBA, e vetëm atje kuptova botën, kuptova që ka edhe gjëra të tjera përveç vrasjes së njëri-tjetrit në mënyrë të përditshme. Sot, ndihem me fat për përkatësinë time, është ajo që më ka bërë të stërvitem dhe të kem sukses në jetën e përditshme”.

Ndonëse mbërriti në SHBA si fëmijë dhe prej vitesh stërvitet në këtë vend për disiplinën olimpike, Gour nuk ka shtetësi amerikane.

Sudanezit iu ofrua që të merrte pjesë në Lojra nën flamurin e Sudanit, por ndonëse i rrezikuar për të mos marrë pjesë, ai refuzoi. Si rrjedhojë, Marial ka gjetur një flamur të tretë nën të cilin do të garojë, atë të Lojrave Olimpike, që e bën ta konsiderojë veten si një “atlet i të gjithë botës”.

Në jetën e tij, Marial ka garuar në vetëm dy maratona, por në secilën prej tyre, ka arritur të përfundojë nën kohën e nevojshme për t’u regjistruar në Lojra Olimpike, prej dy orësh e 15 minutash.

Top Channel