Macja që mbijetoi 10 mijë kilometra

13/07/2012 00:00

Kur punëtorët ditën e djeshme në Los Anxhelos hapën konteinerin që vinte
nga Kina nuk po u besonin syve, brenda ishte një mace e vogël
3-muajshe, me gëzof të bardhë e pulla të kuqe.

Kotelja, pak e raskapitur por ende gjallë, ka kaluar oqeanin Paqësor e mbyllur në depon e një anijeje që vinte nga Shangai, pa ujë e pa ushqim.

Punëtorët kur e gjetën e quajtën Ni Hao, që do të thotë “përshëndetje” në gjuhën kineze.

Ende nuk është e qartë për sa ditë macja ka arritur të mbijetojë, por është e sigurt se bëhet fjalë për një udhëtim të gjatë mbi 10 mijë kilometra e që mund të zgjasë deri në 21 ditë.

Aktualisht Ni Hao ndodhet nën vëzhgim në një qendër për kujdesin e kafshëve në Los Anxhelos, ku sipas veterinerëve ka ngrënë dhe ka fjetur.

Sipas të njëjtave burime, kur do të ketë marrë më mirë veten, kafsha e vogël do t’i besohet një familjeje që do të kujdeset për të.

Top Channel