iPhone 5, në Kinë nisin shitjet

13/07/2012 16:50

Edhe pse Apple nuk ka nxjerrë ende asnjë datë zyrtare se kur do të hedhë në treg iPhone 5, në Kinë kanë nisur shitjet e tij.

Kërkesat për smartfonin e ri të “Mollës” janë të shumta dhe blerësit të padurueshëm. Kjo ka vënë në lëvizje një kompani kineze të shitje-blerjeve në internet që të pranojë porositë për blerjen e iPhone 5 që tani.

Në fakt bëhet fjalë për kompaninë Taobao, më e madhja në Kinë në këtë sektor. Kompania pranon kërkesat e klientëve të saj për t’u “rezervuar” një iPhone kundrejt shumave nga 750 deri në 1 mijë dollarë.

Kërkesat janë të shumta dhe zyrtarët e kompanisë Taobao thonë se kanë ndërmend të vazhdojnë me pranimin e tyre, edhe pse nga Apple nuk ka asnjë datë zyrtare për hedhjen në treg të iPhone 5. Megjithatë, ka zëra se krijesa e re e perandorisë së ngritur nga i ndjeri Steve Jobs, pritet të dalë diku mes gushtit dhe tetorit të këtij viti.

Top Channel