“Shqip”, 100 vjet shtet shqiptar

09/07/2012 00:00

Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali, Isa Boletini dhe figura të tjera të historisë shqiptare, pas 5 shekujsh sakrifica, robëri, kryengritje e luftë, ngritën flamurin kuqezi në Vlorë dhe shpallën pavarësinë e gjithë shqiptarëve nga ish-perandoria osmane.

Jemi në 2012, 100 vite më vonë me pozitën e shqiptarëve të përmirësuar në rajon, festohet 1 shekull shtet shqiptar. Por si do të festohet ky përvjetor? Ku është shteti shqiptar me këto përgatitje?

Këto dhe të tjera pyetje u munduan t’u japin përgjigje një panel historianësh të ftuar në takimin e përjavshëm të emisionit “Shqip” me Rudina Xhungën.

Në fund të 2011 dhe në muajt e parë të këtij viti, qeveria reklamoi “vitin jubilar” të shqiptarëve, jo vetëm të atyre brenda kufijve shtetërore, por edhe më gjërë. U ngrit një Komitet Ndërministror për festimet e 100-vjetorit i cili nën udhëheqjen e kryeministrit Berisha ka mbajtur disa mbledhje ku janë përcaktuar detyrat dhe koordinimet mes dikasterve për aktivitetet që do të shenjojnë këtë vit.

Historiani dhe njëkohësisht anëtari i Komisionit Ndërministror për 100-vjetorin e Pavarësisë, zoti Neritan Ceka radhiti disa nga objektivat e realizuara të këtij komisioni dhe për projektet në muajt në vijim.

Ceka tha se është një fond rreth 8 mln euro për festimet e 100-vjetorit. Ai përmendi heqjen e të gjitha shpenzimeve për grupin e alpinistëve shqiptarë që ngjitën Everestin me flamurin kombëtar, disa ekspozita dhe aktivitete të tjera të mbajtura deri më tani dhe të tjera që do të mbahen deri në fund të këtij viti, por kulmimi do të jetë më 28 Nëntor.

Për historianin tjetër, Paskal Milo, përgatitjet për 100-vjetori janë të vonuara. Sipas tij, duhej një shtrirje më e madhe e festimeve dhe jo grumbullimi i tyre vetëm në 2-3 muajt e fundit të vitit. Sipas zotit Milo kjo do të krijojë një inflacion aktivitetesh dhe rrjedhimisht rënien e cilësisë së tyre.

Milo foli për realizimin e një cikli dokumentarësh, i pari do të flasë se si erdhi pavarësia, i dyti për shpalljen e saj dhe i treti për firmëtarët e pavarësisë.

Ndërkohë, Gudar Beqiraj, anëtar i Akademisë së Shkencave përmendi dy aktivitete të rëndëishme të këtij institucioni. Më 26 nëntor, tha ai, do të mbahet një konferencë me referues nga diaspora dhe më 10 nëntor, që përkon edhe me 40-vjetorin e Akademisë së Shkencave ku të ftuar do të jenë 52 krerët e Akademive Shkencave të Europës.

Rol të rëndësishëm në këtë përvjetori luan edhe Arkivi Qendror i Shtetit. Drejtoresha Nevila Nika tha se institucioni që ajo drejton mbetet i hapur për cdo qytetar dhe se në nëntor do të realizojë disa botime, mes të cilave edhe letërkëmbimi i kohës i qeverisë së përkohëshme të Ismail Qemalit.

Kryeministri Berisha riktheu debatin mes historianëve për rishikimin e historisë dhe disa prej figurave të saj, që sipas kryeministrit, kanë nevojë për rehabilitim. Historiani Neritan Ceka tha se deklarata e kryeministrit nuk duhet parë si një “direktivë”, por si një nevojë reale për të rishikuar disa nga figurat historike, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Historiani Paskal Milo tha se rishikimi s’është tabu, por se ai s’mund të ndërmerret nga njerëz nga jashtë historiografisë. Zoti Milo shtoi se kryeministri duhet të qendrojë larg historisë dhe deklaratën e tij e krahasoi me “direktivat” e Enver Hoxhës së si duhej të trajtohej kryengritja fshatare.

Përplasjet për figurat historike, duhet të zgjidhen nëpërmjet debatit të historianëve, tha Milo.

Top Channel