UEFA inskenoi tifozen e përlotur gjermane

05/07/2012 11:30

Kur Mario Balotelli shënoi golin e dytë të Italisë në gjysmëfinalen e Europianit përballë Gjermanisë, zhgënjimi i një kombi të tërë u ilustrua i gjithi tek portreti i një tifozeje, të cilës nisën t’i ridhnin lot nëpër faqe.

Imazhet e tifozes së dëshpëruar bënë xhiron e botës, por në të vërtetë, i gjithë ky ishte një inskenim i UEFA-s, për të bërë sa më tërheqës transmetimin e drejtëpërdrejtë.

Tifozja në fjalë qau me të vërtetë, por jo pas pësimit të golit të dytë të Gjermanisë, por gjatë transmetimit të himnit, siç tregoi edhe sekuenca e plotë e një prej kamerave të pranishme në stadium, e analizuar pas ndeshjes.

Sekuenca u pre dhe u ruajt, me qëllim që të përdorej në mënyrë dramatizuese, nëse Italia do të fitonte, ashtu siç ndodhi më pas.

Jo vetëm kaq, por inskenimi i situatave të ndryshme shoqëroi të gjithë Europianin.

Një tjetër moment i njohur është ai kur trajneri i Gjermanisë, Joahim Loew, iu afrua një hedhësi topash, duke e trembur nga pas.

Pamja u transmetua gjatë ndeshjes Gjermani-Holandë (2-1), por në të vërtetë, gjesti ndodhi gjatë nxemjes dhe jo në zhvillimin e ndeshjes.

Aktualisht, disa specialistë janë duke analizuar edhe videot e takimeve të tjera, në mënyrë që të shikohet nëse ka patur falsifikime të tjera televizive.

Top Channel