Test shtëpiak për “HIV”-in

05/07/2012 09:35

Një test shtëpiak për virusin “HIV” pritet të dalë në shitje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajt në vazhdim, pasi fitoi aprovimin përfundimtar ditën e enjte.

”OraQuick” është në gjendje që nga një mostër salive të gojës të tregojë brenda 20-40 minutash nëse je i prekur nga sëmundja e pakurueshme.

Brenda pak vitesh, testi i zhvilluar nga një kompani farmaceutike mund të jetë i pranishëm në farmacitë e pothuajse të gjithë vendeve në botë.

Sipas vlerësimeve zyrtare, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë 1,2 milionë persona me HIV-Aids, por 20% e tyre nuk e dinë se jane te prekur.

Shpresohet që testi të ndihmojë në diagnostikimin e shpejtë të sëmundjes dhe si rrjedhojë në frenimin e përhapjes së saj nga mosnjohja.

Testi shtëpiak do të rrëzojë edhe pengesat kulturore e kohore të një vizite diagnostikuese, si ato që realizohen në ditët e sotme nëpërmjet provave të gjakut.

Rreth 35 milionë persona në të gjithë botën janë të prekur nga virusi dhe më shumë se dy milionë prej tyre humbasin jetën rrjedhimisht çdo vit.

HIV-Aids është arsyeja e parë e vdekshmërisë në shumë vende në botë, sidomos në ato të ndodhura në Afrikën Sub-Sahariane.

Top Channel