Presidenti Obama fiton betejën e radhës me rivalët republikanë. Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara rrëzoi kërkesën e republikanëve për reformën shëndetësore të cilën ata e quajnë si anti-kushtetuese.
Gjykata la në fuqi edhe pikën kryesore të reformës së Obamas, ajo që sanksionon blerjen e paketës së sigurimit shëndetësor, përndryshe ata që kanë mundësi financiare dhe zgjedhin të mos e blejnë atë, gjobiten.
Kundërshtarët e ligjit, që u miratua në vitin 2010, thanë se administrata s’mund të detyrojë njerëzit të blejnë pa dëshirën e tyre një produkt, ndërsa administrata Obama u mbrojt duke deklaruar se kujdesi shëndetësor s’mund të krahasohet me produktet dhe të mirat e tjera që ofrohen për konsumatorët.
Debati për kujdesin shëndetësor në Shtetet e Bashkuara është një cështje tejet e polarizuar dhe verdikti parashikohet të ndikojë shumë në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Barak Obama dhe kundërshtari i tij republikan Mit Romney, ish-guvernatori i Masacusetsit janë pesë muaj larg zgjedhjeve presidenciale. Sondazhet e fundit e tregojnë shefin e Shtëpisë së Bardhë kryesues, megjithëse diferenca mes tyre është e vogël.
Top Channel