Mbyllja e sezonit në Teatrin Kombëtar

25/06/2012 00:00

Cfarë mendoni se mund të ndodhë nëse një natë jeni vetëm? Do kërkoni shoqërinë e ndonjë mikut tuaj?

Të papriturat mund të jenë të shumta. Këtë përpiqet të tregojë edhe drama e autorit francez Andrea Paul-Antoine, që u ngjit këtë javë në skenën e Teatrit Kombëtar. Projekt ky që sjell në Tiranë regjizorin Enver Petrovci.

Pas suksesit në Prishtinë, drama ka zbritur në Tiranë kësaj here me Petrovcin regjizor, duke dhuruar emocione të reja. Me një përmbajtje të ethshme, “Sonte jam vetëm”, sjell Laurën, një aktore të re dhe të bukur, interpretuar nga Niada Saliasi, përballë “engjëllit mbrojtës” interpretuar nga Ilir Tafa, i cili troket në derën e saj në mesnatë.

Këtu nis drama që përcillet përgjatë gjithë pjesës nga dy personazhe. Ilir Tafa hyn nën petkat e një shumësie karakteresh, nuk dihet nëse është grabitës, detektiv, producent, regjizor, aktor apo është thjesht një i sëmurë mendor, pacient i bashkëshortit të Laurës. Aktorja Niada Saliasi thotë se ishte me fat që këtë shfaqje e luajti përkrah aktorit shumë të njohur në rajon, Ilir Tafës.

“Në radhë të parë, ai është një njeri shumë pozitiv jashtë skenës, di limitet e tij. Kërkon tek vetja dhe partneri më të mirën e mundshme, është një profesionist shumë korrekt, një djalë që punon me shumë pasion”, u shpreh Niada, për emisionin e “Pasdites” në “Top-Channel”.

Ishte Enver Petrovci ai që bashkoi këta dy aktorë, megjithëse Niada nuk lë pa treguar se nuk e njihte aktorin Ilir Tafa.

Pikërisht Tafa, këtë fundjavë pushtoi skenën e Teatrit Kombëtar edhe më shfaqjen “Killing me softly”, të regjizorit boshnjak Admir Gllamoçak. Me këto dy shfaqje të interpretuara me mjaft mjeshtëri nga Ilir Tafa, Teatri Kombëtar mbylli sezonin artistik.

Top Channel