Partia Socialiste do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për të
hetuar tenderin e shumpërfolur për licensën e Llotarisë Kombëtare.
“Do angazhohemi me të gjitha instrumentat duke përfshirë padyshim edhe komisionin hetimor. Më lejoni të them, jo vetëm për llotarinë kombëtare e cila kërkon një hetim parlamentar të gjithanshëm lidhur me zbatueshmërinë e ligjit, ligj të cilin e ndryshoi Sali Berisha vetëm me qëllimin e vetëm për t’ja dhënë klientëve të pushtetit. Po pse jo do të angazhohemi për të hetuar në rrugë parlamentare edhe çështjen e interkonjeksionit edhe çështjen e pullave fiskale”, tha Tahiri.
Opozita është e vendosur për të mos e njohur tenderin. Deputeti Tahiri tha se me ardhjen në pushtet partia socialiste do anullojë licencën e privatit për t’ja rikthyer atë publikut.
“Partia Socialiste është e angazhuar fuqimisht për ta denoncuar këtë skandal me të gjitha instrumentat, siç është e angazhuar që nesër në qeverisje të vendit të ndryshojmë projektligjin dhe të anullojmë licencën private të kryeministrit për llotarinë kombëtare, duke ja rikthyer shtetit dhe duke rikthyer njëkohësisht mundësinë që të ardhurat e përfituara nga llotaria kombëtare t’i shkojnë publikut”, tha Tahiri.
Zoti Tahiri tha se opozita nuk mund të lejojë që të ardhurat e këtij aktiviteti të shkojnë si fitime korruptive për klientët e pushtetit, por angazhohet t’i përdorë ato për politika sociale.
“Ne angazhohemi që të ardhurat që do përfitohen nesër nga llotaria kombëtare të përdoren për politikat rinore dhe për nxitjen e punësimit dhe gjithashtu të përdoren për politikat e sportit, rigjallërimin e sportit dhe konsolidimin e strukturës që do t’i sillte të rinjve shqiptarë mundësi për t’u punësuar dhe mundësi për të zhvilluar një jetë të qetë dhe të lumtur nëpërmjet aktiviteteve sportive”, tha Tahiri.
Ndërkohë edhe kryetari socialist Edi Rama përmes faqes së tij në rrjetin social Twitter i është rikthyer çështjes së Llotarisë kombëtare duke e quajtur atë një shembull kriminalizimi pa cak i vendimmarrjes qeveritare. Zoti Rama shkruan se qeveria po grabit të drejtën publike për llogari të klientelës së vetë duke bërë që dhjetëra milionë euro në vit të shkojnë nga arka e shtetit si fitime të padrejta dhe korruptive për klientët e qeverisë. Zoti Rama ka ripërsëritur akuzat ndaj ministrit të Financave, që sipas tij krenohet se shteti do të marrë dhjetë për qind tatim, në një kohë që kudo tjetër, – shkruan kryesocialisti,- shteti merr minimalisht 80 për qind të të ardhurave nga llotaria kombëtare.
Top Channel