Sharon Stone u bë e famshme 20 vjet më parë në filmin ‘Basic Instinct’, film që i hapi dyert e një karriere të mrekullueshme në Hollivud.
Por, 54-vjeçarja thekson në një intervistë për ‘The Sun’ se do të donte të dinte më shumë gjëra kur ishte 18 vjeç.
“Do të doja të isha më e qartë mbi famën dhe domethënien e saj. Jam larguar nga shtëpia kur isha 18 vjeç dhe kur isha 22 gjendesha në Hollivud. I njihja njerëzit e përfshirë në industrinë e kinematografisë edhe pse nuk kisha punuar kurrë me ta, por për ta unë isha krejtësisht e pavlerë. Në momentin që u bëra e famshme filluan të më flisnin sikur ta kishin për herë të parë takimin me mua”, deklaron aktorja e divorcuar dy herë dhe që ka tre fëmijë të adoptuar.
“Të gjithë harruan sharjet ndaj meje dhe më flisnin me përzemërsi. Është e pabesueshme se si ndryshojnë njerëzit kur e dinë që mund të fitojnë para prej teje”, shtoi Sharon Stone.
“Kur fitova famën nga Basic Instinct isha 34 vjeç dhe falenderoj Zotin sepse po të isha 20 do të isha çmendur krejtësisht. Presioni i Hollivudit është i tmerrshëm”, përfundon aktorja, e cila për momentin është e lidhur me modelin argjentinas Martin Mica, 27 vjeç.
Top Channel