Bashkëjetesa shembullore e shqiptarëve dhe grekëve

11/06/2012 21:00

Në Ballkanin e përplasjeve etnike e ndëretnike, Shqipëria është ndoshta shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare, bashkëjetesës me minoritetet pa kurrfarë ngjyrimi paragjykues e konfliktual.

Pavaresisht këtij mozaiku, që shpesh fqinjët duan ta prishin, duke ndezur situata artificiale, e vërteta është se përkundër gjithçkaje shqiptarët janë një nga popujt më pak problematike në këtë pikë. Një realitet ky që mund ta ndeshësh kudo, edhe në ato zona që dikur u tentua të ndizeshin nga elementë të caktuar.

18 vjet më parë, më 10 prill 1994, në zonën e Peshkëpisë në Dropull ku jeton minoriteti grek, një grup njerëzish të armatosur, më saktësisht 8 vetë, hynë në territorin shqiptar gjatë orëve të natës.

Grupi i grekëve, pjese e të ashtuquajturit “Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit” sulmoi një repart ushtarak aty pranë, duke vrarë në pabesi kapitenin Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe duke plagosur tre të tjere.

Më pas u larguan sërisht në drejtim të vendit fqinj, të nesërmen në një letër autorësie botuar në gazetën greke “Elefterotipia” theksohej se ky ishte një paralajmërim për betejën që do të niste për çlirimin e Epirit të Veriut.

Ka kaluar kohë që atëherë, kohë e mpleksur me kërcënime të tjera, me kërcëllitje dhëmbesh e pretendime absurde , me deklarata për abuzime, për keqtrajtime, për diskriminim në radhët e minoritetit grek në këtë zonë.

E megjithatë, anës fjalëve që vijnë e shkojne jo vetëm nga përtej kufirit, Dropulli, e  konkretisht fshati Peshkëpi, vendi që mban mbi shpinë masakrën e 1994-s ofron sot, në terren një realitet krejt tjeter, të largët nga ai që u kërkua t’i imponohej dikur me një akt terrorist.

Boshllëku i çuditshëm  fashitet fare shpejt, teksa diku tej ardhur nga një mort, banorët të ndarë grupesh afrohen ngadalë drejt qendrës së fshatit. Disa largohen, disa shkojnë në drekën e rastit, e të tjerë kundrojnë rrëmujë e përkohshme në rrugicat e vogla përmes fshatit.

“Kishte një vdekje këtu në fshat, unë e lashe punën e shkova në varrim, tani shkoj në pune. Nuk kemi ndarje, kurse po të jete një tjetër vend, e zëmë Italia apo Gjermania, askush nuk do t’ia dijë se kush u vdiq apo u ngjalll”, shprehet një banor i Peshkëpisë, Andrea Nikolla.

Në fshatin që shtrihet jo larg kufirit me Greqinë , problemet mes shqiptarëve e minoritarëve duken një imazh i panjohur. Gjithçka shkon në një vijë të përbashkët me vështirësitë që nuk janë thjesht për njërën apo për tjetrën palë, por që kanë lidhje me hallet normale të përditshme të një komuniteti e jo me marrëdhënien mes tyre.

“Në marrëdhëniet këtu i kemi shumë të mira, bashkëjetojmë tamam si një familje me shqiptarët dhe minoritaret, nuk kemi asnjë dallim asnjë preokupim, asnjë telash, asgjë prej gjëje, jemi tamam si nje familje », shprehet një tjetër banor, Gligor Karro.

Kryeplaku i fshatit i zgjedhur nga shumica greke në këtë zonë tregon shkujdesur atë që ai e quan një vlerë të shtuar të shqiptarëve , faktin se nuk kanë paragjykime dhe se kanë ditur të ngrenë themelet e një bashkëjetese të shkëlqyer.  Shembull më i mirë thotë se është i biri i  tij, që siç ai tregon pa kurrëfare ndrojtjeje ka lidhur jetën me një vajze nga zona e Dibrës, në veri të Shqipërisë.

« Jemi në një harmoni shumë të mirë. Edhe në dasma, edhe në festa shkojme bashkë, në kafene bashkë, nuk kemi asnjë problem me shqiptarët», shprehet Jani Papa, kryeplaku i Peshkëpisë së Sipërme.

Për çështje me « Vorio Epir » e pretendime greke është e kotë t’i pyesësh, për ta këto  nuk kanë kurrfare vlere. « Unë nuk e ndaj dot këtë grek shqiptar. Po të bisedojme se do të marr pasaportën greke e do të behem grek, unë nuk e di. Kam qenë ai që isha. Linda në këtë fshat dhe me shqiptarë e me ushtarë që kanë kaluar këtu kam kaluar si vëlla”, shton Papa.

Opinioni përtej politikës e presioneve të saj të vazhdueshme është kudo i njëjte, mes shqiptarësh e minoritaresh greke, që këtu nuk duan t’ia dinë për etnite, fetë e ndryshme e çdo gjë tjetër që mund t’i ndaje, siç tregon edhe njëri nga banoret e vjetër, Mehmet Canaj, ish- oficer i ardhur në zonë nga Kuçi i Vlorës. “Opinioni i shëndoshë mbyt ndonjë diçka jo normale që cënon marrëdhëniet tej kufirit. Dmth opinioni shoqëror këtu nuk të lë, nuk i pranon këto provokime. E kështu kam besim se marrëdhëniet do të jenë të shkëlqyera edhe në të ardhmen, derisa ka martesa, përderisa ka fejesa, përderisa ka marrëdhënie midis njerëzve”, tha Canaj.

Edhe në vitin e masakrës së peshkëpisë, shqiptarët ëndërronin të ishin si gjithë Europa, por 18 vjet më parë, gjatë rrugëve të Gjirokastrës u përcollen trupat pajetë të dy ushtarakëve.

18 vjet më parë terroristët dhe ata që fshihen pas tyre tentuan të pergjaknin, të përdhosnin, të ndanin dy kombe fqinje. Ashtu siç bëjne sot rëndom pseudo përfaqesues të minoritetit grek, politikanë llackavitës që flasin për keqtrajtime, për paragjykime, për cënim të të drejtave, e teksa ulen në poltrona postesh shtetërore nga krahu tjetër mbështillen e çmbështillen me flamurë të Vorio Epirit.

Por, gjithsesi, as atëherë e as sot askush nuk arriti të ndante e të thyente besimin e mirësinë tek këta njerez që sot qëndrojne sërisht në një tavolinë, në një rrugë, në një fshat, pa dallim feje, partie, a etnie. E ndoshta sot, pikërisht në këtë fshat të vogel mes halleve e derteve të perditshme, në të keq e ne të mirë, ndoshta pikërisht këtu më shume se kudo është sot Europa.

Top Channel