Në vite e vite të tëra karrierë, Madona njihet për provokimet e bëra në skenë, videoklipe apo koncerte të ndryshme kundër moralistëve,  kishës e politikës.

Shënjestra e saj e fundit ishte Marie Le Pen, kryetarja e ekstremistëve të djathtë francezë të Frontit Kombëtar, forcë politike që në zgjedhjet e fundit presidenciale siguroi 18 përqind të votave.

Gjatë koncertit të mbajtur së fundmi në Tel Aviv mbretëresha e muzikës pop, si pjesë e koreografisë së saj, ka vënë në lojë udhëheqës e politikanë botërorë, që nga presidenti kinez, që shfaqet me yllin komunist në ball e deri tek ekstremistja e djathtë franceze, Marie Le Pen, së cilës në ball i është vënë simboli i nazizmit.

Le Pen ka reaguar menjëherë duke u shprehur se do të kërkojë 1 milion dollarë dëmshpërblim për gjestin e Madonës.

“Unë e kuptoj që këngëtaret që u ka ikur mosha kërkojnë të bëjnë gjithcka për të patur vëmendjen e medias dhe publikut, por kjo e Madhërisë së Saj, Madona, ishte me të vërtetë e tepruar. S’mund të toleroj përdorimin e imazhit tim për tregti kulturore”, deklaroi Le Pen duke shtuar më pas se Fronti Kombëtar Francez nuk është parti naziste.

“Ne nuk jemi parti naziste. Nëse na akuzojnë për nazistë, atëherë kanë akuzuar 1/5 e popullit francez për nazistë dhe anti-semitë”, tha ish-kandidatja për presidente.

Ndërkohë, avokati i Frontit Kombëtar deklaroi se është duke përfunduar dosjen me të cilën do të paditet mbretëresha e muzikës pop Madona, e cila pritet të mbajë së afërmi dy koncerte në Francë, njërin në Paris dhe tjetrin në Nice.

Top Channel