Tre orë përpara se Xhezair Zaganjori të deklaronte tërheqjen nga kandidimi jozyrtar, në Parlament u konsumua edhe një tjetër raund bosh, pa votim.

Megjithatë seanca ishte interesante, sepse Gramoz Ruçi, por më shumë se ai, Sali Berisha, treguan fillimisht pjesë të bisedimeve Berisha-Rama. Natyrisht, këto pjesë bisede ata i treguan për të bërë përgjegjës njëri-tjetrin për mosarritjen e konsensusit.

Sipas zotit Ruçi, oferta e Ramës ishte makismale, pasi kishte ofruar gatishmëri për konsnesus dhe për miratimin deri në fund të qershorit për reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe heqjen e imuniteteve, e se do të kishin rënë dakord për presidentin.

“Oferta në tryezë ishte konsensus i opozitës, opozita ua jepte juve jo juve-asaj. Duke parashtruar si kusht të vetëm që këto kërkesa të merreshin parasysh”, deklaroi Ruçi.

“Takimi ishte për presidentin e Republikës. Kjo dëshmoi që takimi ishte për dështimin, e dëshmoi Ruçi vetë. Më dha mesazhin e bllokimit dhe unë i thash, ‘zotëri, paraqisni një kandidat që të ketë këto kuota, dhe unë do ta konsideroj në mënyrë serioze. Dhe nëse është mbi to, do ta votoj’. Por përgjigjia ishte: ‘jo, nuk sjellim kandidat ne’”, u përgjigj Berisha.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e kanë të qartë se mungesa e konsesusit mes tyre do të djegë edhe një mundësi për marrjen e statusit këtë vit. Kështu që kjo çështje nuk mud të lihej në hije gjatë raundit të tretë pa kandidat.

“Të afroni në tavolinë vullnetin e mirë politik, që pasi të ishin bërë këto detyra, ju dhe Rama të shkonit në Bruksel duke thënë: ja ku jemi, jo si rivalë politikë, por si shqipëtarë, me detyra të plotësuara”, vijoi Ruçi.

“Unë i plotësova kushtet, nuk solla njeri nga PD-ja. Prura një neri që e kishit votuar në Parlament, por ju synonit vetëm bllokimin”, replikoi Berisha.

Tre orë përpara se Xhezair Zganjori të tërhiqej nga kandidimi jozyrtar, Sali Berisha pohoi për herë të parë atë që të gjithë e thoshin nën zë, se kur ai fliste për një kandidat politik për president, emri që kishte ndërmend ishte ai i Jozefina Topallit.

“A nuk kërkoi kryetari juaj 3 muaj që të mos jetë zonja Topalli, që në bindjen time do ta përfaqësonte këtë vend në mënyrën më dinjitoze. Në këtë proçes u ngrita mbi bindjet e mia se PD duhet të kishte presidentin nga radhët e saj dhe propozuam me zotin Meta një njeri që s’kishte lidhje politike. Por këto nuk patën rëndësi, pasi ju ndiqni filozofinë: ose të gjitha, ose asgjë”, tha Berisha.

Gjatë raundit të tretë pa kandidat zyrtar, kryeministri Berisha bëri publike edhe një nga negociatat e fundit të zhvilluara me opozitën me ndërmjetësimin e diplomatëve të huaj.

“Por krahas zotit Zaganjori, duhet ta dinë qytetarët se ne kemi propozuar njeriun që ka marrë votat e dy krahëve në Parlament. Propozuam kandidatin e dytë, refuzimi ishte kategorik. Prapë nuk u tërhoqëm, bëni një propozim ju thamë. Ku fle lepuri? Lepuri fle tek Fatos Nano. C’bëni kështu juve? Kjo është e pabesueshme mor zotëri”, vijoi Berisha duke iu drejtuar Ruçit.

Pas djegies së raundit të tretë, palët kanë vetëm dy ditë për të negociuar. Të hënën, me unanimitet konferenca e kryetarëve ka vendosur zhvillimin e raundit të katërt.

Në vartësi të negociatave që pritet të nisin të shtunën, ky raund do të jetë përcaktues, nëse vendi të hënën do të ketë një president, me apo pa konsensus, apo palët do të luajnë me zjarrin dhe do të shkojnë deri në raundin e fundit, i cili është vija ndarëse me zgjedhjet e parakohshme.

 

PD: Dështimi i konsensusit, faji i Ramës

Partia Demokratike ka bërë përgjegjës Edi Ramën për dështimin e konsensusit në raundin e tretë dhe akuzon atë se kërkon bllokimin e statusit.

“Zoti Rama vijon të bëjë lojë qesharake, sepse ai po tenton të bëjë pazar me presidentin. Pazaret pa princip janë interesat e tij të vërteta”, ka deklaruar zëdhënësja e PD.

Ajo ka shtuar se partia që kryeson mazhorancën parlamentare do të konsultohet me aleatët për presidentin.

“Ndonëse e bindur për politikën bllokuese të PS, PD mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar për të zgjedhur një president të denjë”, ka vijuar zëdhënësja.

Top Channel