Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nga Zagrebi ku është takuar me homologun kroat Ivo Josipoviç, ka deklaruar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, apo të Serbisë, si dhe ka përjashtuar opsionin e shkëmbimit të territoreve.

Gjatë takimit zonja Jahjaga dhe Josipoviç kanë rënë dakord për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Sipas raportimeve të “RTK”, Jahjaga, e cila është pritur me nderime të larta, ka garantuar Josipoviç për statusin e pakicës kroate në Kosovë, duke deklaruar se ky minoritet është i garantuar me Kushtetutë dhe do të ketë përfaqësuesin e tij në Parlament.

Nga ana e tij, Josipoviç i ka ofruar homologes kosovare asistencën e Kroacisë në proçesin e integrimit evropian dhe konsolidimit të institucioneve.

“Ne e vlerësojmë gatishmërinë e shtetit kosovar për përfshirjen e komunitetit kroat në Kushtetutë dhe në Parlamentin e Kosovës. Nga ana tjetër, Kosova ka përkrahje nga Kroacia në të gjitha fushat, sidomos në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, ka theksuar presidenti kroat.

Më tej Jahjaga dhe Josipoviç kanë nënvizuar se mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura, kështu që marrëdhëniet mes tyre mund të thellohen edhe më tej.

Përsa i përket presidentit të ri serb, Tomisllav Nikoliç, Jahjaga ka deklaruar se Kosova u ka shtrirë dorën të gjitha vendeve të rajonit për një fqinjësi të mirë.

Ndërsa Josipoviç, më i rezervuar në qëndrimin e tij, ka bërë gjithësesi të ditur se për motive madhore nuk do të jetë në ceremoninë e përurimit të homologut serb.

Top Channel