Vrasje tek Shkëmbi i Kavajës

05/06/2012 00:00

Pas vrasjes së 44 vjeçarit nga Kosova, një tjetër person është ekzekutuar pasditen e së martës te Shkëmbi i Kavajës në rrethin e Durrësit.

Viktima është identifikuar si Elvis Dedaj nga Kavaja dhe me banim në lagjen 3 të Durrësit. Ai është gjetur i ekzekutuar brenda automjetit tip BMV me ngjyrë gri dhe targa AA 481 CT te rruga dytësore e zonës bregdetare.

Identifikimi u bë i mundur nga një dokument që u gjet brenda mjetit, ndërkohë gjatë kontrollit në të u gjet edhe një armë zjarri e tipit pistoletë e cila do t’i nënshtrohet ekspertizës për të përcaktuar nëse me të janë kryer krime të tjera.

Mbi trupin e të riut është qëlluar me breshëri plumbash, ndërkohë që gjetja e një automjeti që po digjej ende në zonën e Arapajt, rreth 30 minuta pas ngjarjes, ka hedhur dyshimet se ai mund të jetë mjeti me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes pas krimit.

Automjeti tip fuoristradë është konstatuar rreth dy kilometra larg vendit ku u gjet mjeti me trupin e viktimës, në afërsi të njërit prej tunelive të përdorura dikur për qëllime ushtarake, në Kodër Arapaj. Makina së cilës i është vënë flaka në afërsi të hyrjes së njërit prej dy tuneleve ushtarake në këtë zonë ishte e tipit Nissan me targa 01731 FB.

Dyshohet se autorët e kanë djegur për të zhdukur edhe gjurmë të tjera që ndodheshin në të, ndërsa leximi i targës klasifikohet si një element që mund t’i vijë në ndihmë hetimit për gjetjen e autorëve.

Postoblloqe të shumta janë ngritur në rrugët që lidhin plazhin me Durrësin, Tiranën, Kavajën e më tej, por ende nuk ka pasur rezultat lidhur me autorët.

Viktima e Shkëmbit të Kavajës ishte person i shpallur në kërkim nga Interpoli për krime të lidhura me drogën. Ai kërkohej për llogari të Belgjikës, bazuar në një vendim të gjykatës së Antverpit.

Top Channel