Brand irriton Travoltën në “MTV Awards”

05/06/2012 18:20

Komediani britanik, Russell Brand, befasoi publikun e të ftuarve në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve “MTV” për kinematografinë, nëpërmjet një serie batuash që shënjestruan disa prej të ftuarve.

Fillimisht, ish-bashkëshorti i Katy Perry fitoi armiqësinë e John Travoltës, pasi iu referua një skandali homoseksual në të cilin aktori hollivudian është përfshirë.

Më pas, gjatë fjalës së tij në prezantimin e një çmimi në “Gibson Amphiteatre” në Los Anxhelos, Brand lëshoi “shigjeta të helmatisura” edhe ndaj Kim Kardashian, Charlie Sheen apo Justin Bieber.

”Dua të falenderoj veçanërisht Kim Kardashian, e cila më ka bërë të mos ndihem keq që martesa ime zgjati vetëm 14 muaj. Fatmirësisht, dikujt i zgjati edhe më pak se mua”, tha Brand, duke bërë publikun të qeshte.

Ai gjithashtu bëri shaka me veten, duke thënë se për herë të fundit që kishte marrë pjesë në një mbrëmje të “MTV”-së, kishte gjetur grua.

Russell u njoh me Perry pikërisht në një mbrëmje të tillë në vitin 2009.

”Herën e fundit që isha pjesëmarrës në këtë eveniment, përfundova me një grua. Sot do t’i bëj sytë katër, për të gjetur gruan time të ardhshme”, tha Brand.

Top Channel