Nano: Rama-Berisha, asnjë rezultat

04/06/2012 00:00

Fatos Nano, i vetëofruar si kandidat për president, vlerëson takimin mes Berishës dhe Ramës, por beson se ata nuk prodhuan një rezultat konkret duke djegur kështu raundin e dytë.

Sikurse edhe në dy ditët e shkuara, zoti Nano përmes lëvizjes “Nano për president” ka preferuar të flasë nëpërmjet deklaratave për shtyp.

Nano thotë sërish se, nëse bëhet president do të ketë takime të përjavshme me dy liderët e partive kryesore, me premtimin se do ta kthejë këtë në një traditë të përhershme.

Sipas ish-kryeministrit, kjo do të shërbejë si një mëngjes pune, reflektimi dhe lutjesh, mes presidentit të Republikës, kryeministrit dhe liderit të opozitës.

Nano i kërkon Berishës dhe Ramës që të zgjedhin produktin më të mire për president. Ai thotë se dy liderët nuk duhet të lejojnë lojrat meskine për pushtet dhe të mos e përdorin fjalën konsensus për alibi.

Për Nanon, duhet një president që duhet t’u dalë për zot institucioneve të pavarura. Ai thotë se, ndonëse është i lënduar nga ngurrimi i Edi Ramës për ta mbështetur atë me firma për kandidimin për president, e inkurajon kryetarin e PS-së që të jetë vijë e hapur komunikimi.

Ndërsa Berishës, Nano i kujton se ai është një politikan i sprovuar, një shtetar që ka shërbyer për shumë herë e vite në krye të qeverisë.

Top Channel