Elhaida: Sapo jam zgjuar nga një ëndërr

04/06/2012 20:30

E sapozgjuar nga një ëndërr, e konsideroi veten Elhaida Dani, 19-vjeçarja fituese e edicionit të nëntë të “Top Fest”.

Në studion e “Pasdite” në “Top-Channel”, shkodrania nisi rrëfimin e saj nga shtangia dhe hutimi i dukshëm, në momentin kur dyshja Miriam Cani dhe Sidrit Bejleri shqiptuan emrin e saj si fituese.

”Nuk di t’i përshkuaj emocionet. Në të vërtetë nuk e mendova që do të isha fituese, dëshira ishte e madhe, por kur dëgjova që më thirrën emrin, ndalova veten dhe thashë mos më bënë veshët. Të tjerët më shtynin që të merrja kupën dhe unë kthehesha pas, pastaj Miriami më dha kupën, e unë ia ktheja. Vetëm sot e kam kuptuar që nuk jam në një ëndërr dhe që e gjithë kjo është e vërtetë. Emocioni është i jashtëzakonshëm, sidomos nga fakti që ishte tërësisht i papritur”.

Në lidhje me këngën dhe tekstin e saj, 19-vjeçarja theksoi: “Teksti nuk ka lidhje me Elhaidën personalisht, por mund t’i dedikohet çdo njeriu. Konkretisht, teksti flet për një lidhje dashurie, ku djali dorëzohet në gabimet e tij. Kënga transmeton një thirrje për çdo njeri që do diçka që ta ndjekë deri në fund atë”.

Por, çfarë do të thotë një sukses i tillë i madh që në fillimin e karrierës së Elhaidës. “Është një moment shumë i rëndësishëm, ku është një çmim shumë i madh, mbase më i madhi që mund të jepet në Shqipëri. Jam e kënaqur që edhe në këtë spektakël u vlerësova prej zërit tim. Edhe në pjesëmarrje të tilla në të shkuarën, në evenimente të tjera ndërkombëtare, jam vlerësuar gjithmonë prej zërit tim. Në këtë këngë isha në gjendje që të isha tërësisht vetvetja në zërin tim, ndaj jam shumë e lumtur për këtë”.

Deklaratën e saj, Dani e përfundoi me falenderimet më të sinqerta për publikun. “Dua të falenderoj përultësisht publikun për shansin që më dha. Kjo është diçka shumë e madhe për mua dhe falenderoj “Top Median” për punën e mrekullueshme që bën në mbështetjen e artistëve dhe këdo që është në fushën e muzikës. Falenderoi këdo që më besoi e më mbështeti e mbi të gjitha falenderoj Zotin për gjithçka që më ka dhënë”.

Argjentina Ramosaj: Emocione të papërshkrueshme

Një tjetër fituese e “Top Fest 9” ishte edhe Argjentina Ramosaj, në pjesëmarrjen e saj të parë në këtë eveniment të madh të muzikës moderne shqiptare. Kënga e saj, “Si shiu”, u përzgjodh balada më e mirë e vitit 2012 dhe Ramosaj u shpreh në emisionin e “Pasdites”: “Kisha shumë emocione, ishte hera e parë në “Top Fest” për mua, hera e parë live, përveç gjysmëfinales dhe skena ishte shumë e madhe, kishte shumë njerëz dhe kisha shumë emocione. Falenderoj Florin për këngën e mrekullueshme dhe tekstin që ndonëse nuk ka lidhje me mua, përsëri më emocionon. Pas “Top Fest” do të kem një kalendar të ngjeshur me koncerte, në Shqipëri, Kosovë dhe mbase edhe në diasporë”.

Xhensila Myrtezaj: Asnjë “hatërmbetje” në familje

Xhensila Myrtezaj, e vlerësuar si artistja më e mirë femër me këngën “Edhe një herë”, fitoi betejën e saj brenda familjes, përballë partnerit të saj, Besi Kallaku, i njohur nga të gjithë si Gjini i Portokallisë, në aventurën e tij të parë në një festival të mirëfilltë të muzikës shqiptare. “Nuk kishte asnjë sfidë midis meje dhe Besit, ai e ka thënë edhe më përpara se në muzikë e ka lënë tek unë përfaqësimin e familjes (qesh). Realisht, çmimi i fituar është një vlerësim shumë ui madh për mua. Ishte një çmim i shumëëndërruar. Nuk di të them nëse e meritoja më shumë se kundërshtaret e tjera dhe në fakt, kur konkurroj në një eveniment të tillë, nuk i shpall sfidë ndaj askujt, nuk bëj paralele me të tjerë. Unë sfidoj vetëm veten time. Emocione? Të them të vërtetën, ndieva emocione të fuqishme në momentin kur fitova çmimin dhe në fjalimin që mbajta as nuk e di se çfarë kam thënë”.

Renis Gjoka: Pas “Top Festit”, tur në të gjithë Shqipërinë

Shijen e suksesit e provoi në “Top Fest 9” edhe grupi “Burn”, që u zgjodh si grupi më i mirë i edicionit. Në studion e “Pasdites”, vokalisti Renis Gjoka tregoi emocionet për pjesëmarrjen në “Top Fest” dhe zbuloi planet e tij të ardhshme. “Jemi shumë të kënaqur që me hipokrizinë tonë arritëm të fitonim këtë çmim, edhe sepse kishte edhe shumë grupe të tjerë tejet të talentuar. U ndiemë realisht të vlerësuar. Tashmë po punojmë për nxjerrjen e albumit tonë të dytë, duam të bëjmë një turne në plazhet e Shqipërisë, me dhjetë koncerte në verë, plus edhe “Summer Fest” që organizohet nga “Top-Channel”.

Stresi: Kënga ime i prek të gjithë

Fitues i çmimit “Best Hip Hop dhe “RnB”, Arkimed Lushaj, i njohur gjerësisht me emrin e tij të artit “Stresi”, tregoi: “Fabula e këngës sime është bazuar në një film turk, që flet për një çift, që sakrifikojnë shumë për njëri-tjetrin. Shumë njerëz e kanë gjetur veten në këtë pjesë të tekstit, ndaj dhe teksti im prek të gjithë. Femra ideale? Për mua është mami, nuk kam nisur ende të kërkoj për një të dytë veç të dytë. Planet e mia? Do të nxjerr një klip në verë, do ta shihni që do të shkëlqej në videoklip”.

Top Channel