Shkolla, reduktohet fiskultura

03/06/2012 00:00

Në arsimin e detyruar nëntëvjeçar si dhe në shkollën e mesme orët e fiskulturës janë reduktuar ndjeshëm.

Ekspertët e sportit shprehen se minimalisht çdo nxënës duhet të kryejë dy orë në javë fiskulturë, pasi kjo i ndihmon që të kenë rezultate më të larta edhe në mësime.    

Artan Shyti, i Institutit të Akademisë Sportive, shprehet: “Mësuesit nga klasa e parë në të katërtën i zëvendësojnë orët e fiskulturës me orë të tjera që atyre i duket se janë më të rëndësishme. Ora e edukimit fizik nuk duhet prekur, por duhet bërë me shumë rigorozitet sepse kjo orë ndihmon fëmijët edhe në lëndët e tjera.”

Por ndërsa në arsimin nëntëvjeçar po përpiqet që të ruhen orët e fiskulturës, në arsimin e mesëm ka patur kufizime drastike.

“Gjatë javës fëmija kryen 30 orë mësimi dhe nga këto vetëm 2 janë fiskulturë. Ne na duken pak, por e rëndësishme është që të ruajmë edhe këto pak orë e të kryhen me rregull”, shton Shyti.

Zhvillimi i orëve sportive është i domosdoshëm për fëmijët, pasi në Shqipëri vihet re se të paktën 30% e fëmijëve janë mbipeshë. Ushqyerja jo e mirë, mungesa e ambienteve dhe qëndrimi para kompjuterave po krijon një brez fëmijësh obezë dhe larg lojrave që përveç argëtimit ndihmojnë edhe në shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve.

Top Channel