Redon Makashi: Nuk kam ndryshuar për para’

01/06/2012 19:50

Redon Makashi, fitues i çmimit “Kult” për albumin më të mirë muzikor të vitit, ishte i ftuar në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’ ku foli për karrierën e tij.

Kantautori u shpreh: “Kam qenë pak i tërhequr kohët e fundit dhe tashmë ishte momenti për tu rikthyer me albumin “Botën Time”. Po punoj edhe për shumë këngë të tjera. Kam material nga disa vite të kaluara, por më duhen tekste sepse nuk mund t’i bësh të gjitha tekstet vetë.”

Në lidhje me ribashkimin e grupit “Arb”, Makashi theksoi: “Do të zgjedh disa instrumentistë të tjerë për të vazhduar me muzikën time edhe pse doja të ribashkoja grupin Arb, por nuk munda.”

Duke folur për komercializimin e muzikës, kantautori deklaroi se kurrë nuk ka dashur të ndryshojë zhanrin e tij edhe pse kjo gjë i ka sjellë më pak para’: “Unë ndoshta nuk kam bërë shumë para’, por nuk e kam parë gjithçka në këtë aspekt. Nuk kam dashur kurrë të ndryshoj muzikën time edhe pse aspekti ekonomik është i rëndësishëm.”

Redon Makashi bëri të ditur edhe se së bashku me Aleksandër Gjokën dhe Elron Dedën kanë një projekt për realizimin e një koncerti: “Me ikjen e Elton Dedës në Amerikë u shkëput pak lidhja me “Tre Musketierët”, por kemi një projekt që në nëntor të bëjmë një koncert të madh kur Eltoni të kthehet.”

Top Channel