Spektatori besnik i Teatrit Kombëtar

31/05/2012 19:40

Takimi i parë në vitet ’60 me Kadri Roshin dhe Naim Frashërin e lidhi përjetësisht me teatrin dhe skenën.

“Ezopi është nga shfaqjet e para që më kujtohen. Po ashtu edhe Hamleti. Teatri në ato vite ishte në majat e veta”, shprehet Kostandin Koliqi, i cili është një nga pasardhësit e familjes Koliqi.

Ka qenë pjesë e administratës dhe me angazhime të shumta, por gjithmonë gjente kohën për tu arratisur nga zyrat e tij e për të parë aktorët në skenën e teatrit. Në listën e gjatë e të pafundme të shfaqjeve që në të shumtën e rasteve i ka parë më shumë se një herë, ai ka të preferuarat e tij.

“Shtrigat e Salemit dhe Të mbrojmë shpellarin janë shfaqjet që më kanë lënë mbresa.”

Ka dy vajza dhe njëra prej tyre ka trashëguar pasionin e fortë të të atit për kulturën. Duke buzëqeshur e me krenari Kostandini thotë se ajo nuk lë asnjë shfaqje muzikore pa ndjekur.

Teatri është pjesë e tija, ushqimi i përditshëm. 52 vite i ulur në poltronat e Teatrit Kombëtar, më shumë se vitet e jetës të pjesës më të madhe të aktorëve.

“Më duket sikur edhe unë jam me aktorët në skenë. Gjithmonë e gjej veten në pjesët teatrale”, përfundon i apasionuari pas teatrit.

Top Channel