Presidenti, Topi: Të zgjidhet nëpërmjet një procesi transparent

31/05/2012 00:00

Presidenti i Republikës Bamir Topi deklaron se në përmbushjen e
kritereve për integrim në Bashkimin Evropian, një rol kyç luan edhe
institucioni legjislativ dhe veprimtaria e tij parlamentare, sidomos
aktualisht gjatë synimeve për realizimin e reformës zgjedhore, reformës
parlamentare dhe zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit nëpërmjet një
procesi të hapur dhe transparent për t’i dhënë vendit garantuesin e
ekuilibrave dhe të pavarësisë së institucioneve kushtetuese.

Deklarata e kreut të vendit është bërë gjatë një takimi me Grupin Parlamentar për Marrëdhëniet e Gjermanisë me shtetet e Evropës Juglindore të kryesuar nga Peter Vajs dhe anëtarët Kristel Apah-Kasan dhe Andreas Lamel, të cilët po zhvillojnë një vizitë informuese në Ballkanin Perëndimor. Në këtë takim, bën me dije njoftimi zyrtar i Presidencës, ishte e pranishme Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Karola Myler-Holtkemper.

Kreu i Shtetit bëri një përshkrim të detajuar të zhvillimeve e të reformave të ndërmarra në Shqipëri, në drejtim të forcimit të demokracisë e shtetit ligjor.

Përfaqësuesit e Grupit Parlamentar vlerësuan kontributin personal e institucional të Presidentit Topi, si dhe rolin kyç të Shqipërisë e faktorit shqiptar në drejtim të forcimit të paqes e sigurisë së popujve të Ballkanit, të projektuar tashmë qartazi drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Top Channel