Zuckerberg shkëputet nga bota e “Facebook”

30/05/2012 17:40

Themeluesi i “Facebook”, Mark Zuckerberg, të paktën për një herë të vetme duket tërësisht “i huaj” me botën virtuale dhe me rënien drastike në bursë të aksioneve të rrjetit më të famshëm shoqëror në botë.

Pasi shpalli në mënyrë surprizë martesën e tij një javë më parë, Zuckerberg u shkëput për të shijuar detin dhe diellin e brigjeve italiane, në Amalfi.

Fotografët që e shoqërojnë këmba këmbës e ndoqën gjatë ditës ndërsa u relaksua në bordin e një motoskafi, të drejtuar nga një person i tretë.

Më pas, drejtori i përgjithshëm dhe aksioneri më i madh i “Facebook” vizitoi qytezën italiane të Amalfit, ku u ndal në disa prej monumenteve historike.

Muaji i mjaltit të Zuckerberg nisi nga Roma, ku 28-vjeçari shfaqi një interes të veçantë për muzeun e Vatikanit dhe veprat e artit brenda tij.

Megjithatë, në rikthimin e tij në punë, Zuckerbergut do t’i duhet të përballet me shumë dhembje koke, pasi kuotimi në bursë i “Facebook” ka rezultuar shumë më problematik nga sa mund të mendohej.

Pasi aksionet nisën të tregëtoheshin me vlerën e 38 dollarëve, ata ranë nën kufirin e 29 dollarëve ditën e martë, pas dy javësh tregëtimi, duke vendosur një rekord negative.

Tashmë në treg, rrjeti social ka humbur pothuajse çerekun e vlerës me të cilin u kuotua në fillim.

Top Channel