" /> ">

Edi Rama, në një interviste të drejtperdrejtë në emisionin “Top Story”
menjëherë pas përfundimit të seancës, deklaroi se kryeministri Sali
Berisha ndërsa ka takuar të gjithë krerët e partive parlamentare për të
biseduar për presidentin, i trembet takimit me të, pasi nuk dëshiron të
përballet me argumentat e opozitës.

Rama këmbënguli sërish për krijimin e një tryeze me kryetarët e partive parlamentare për diskutimin e çështjes se Presidentit.

“Dialogu kërkon ndërveprim dhe kërkon komunikim mes palëve. Në rast se Kryeministri takon të gjithë kryetarët e Partive, madje takon edhe kryetarin e partisë aleate me ne në opozitë për cfarë i takon? I takon për të pirë kafe? Nëse i takon për këtë arsye dhe për këtë arsye nuk më takon mua, nuk ka asnjë problem, por unë besoj që arsyeja përse Kryeministri i shmanget takimit, në një tryezë të të gjithë kryetarëve të partive është sepse ai e ka jashtëzakonisht të vështirë që të përballet me argumenta në tavolinë, për të ndërtuar një proces dhe po ashtu e ka shumë të vështirë pastaj të ikë nga një tavolinë, ku do të ulet për procesin.

Kryeministri sot ishte fare i qartë. Dëshiron vetëm të tërheqë zvarrë Parlamentin të humbasë kohën e këtyre raundeve të para, me alibinë se po ofron konsensus për të ardhur përsëri në pikënisjen e tij dhe për të realizuar zgjedhjen e një presidenti, i cili është një noter i tij partiak.
Ajo cka është e qartë është se ne nuk kemi kushtëzuar axhendën se si mund të ndahen këto pika, se si mund të bëhet një kalendar për t’i trajtuar këto pika, se si mund të zgjidhen këto pika brenda harkut të këtij sesioni parlamentar, ne e kemi bërë propozimin tonë. Në tryezë të gjitha palët duhet të ulen dhe secila palë duhet të shpresë pikëpamjen e vet. Ne nuk themi që ja ku i kemi katër pikat, ose merrini të tëra menjëherë kështu sic i themi ne, madje as nuk themi që merrini të tëra menjëherë. Ne themi që të ulemi dhe të gjejmë fillin arsyes për të bashkëpunuar, në rast se duam t’i japim vendit një president konsensual, reformat pa të cilat nuk na ndihmon dot familja europiane ku duam të hyjmë. Na ndihmoni, t’ju ndihmojmë është fraza e përsëritur prej tyre me muaj të tërë.

Janë të gjitha të zgjidhshme por nuk ka vullnet politik për t’i zgjidhur sepse kryeministri kërkon të mbajë peng reformën zgjedhore, pasi nuk mund të qëndrojë në atë karrike, nëqoftëse nuk garanton atë sistem të korruptuar dhe të korruptueshëm përmes stilit vjedh zgjedhjet.Kryeministri nuk është i gatshëm që të zgjidhë problemin e reformës parlamentare, sepse nuk mund t’i lejojë deputetët e tij që të kenë liri për të votuar në mënyrë të fshehtë. Kryeministri nuk është i gatshëm as të zgjedhë një president konsensual për arsye tashmë të njohura publikisht. Në rast se ai do të jetë i gatshëm, nuk ka asnjë arsye që ne në raundin e dytë të mos e zgjedhim presidentin dhe që brenda këtij sesioni të mos i zgjidhim të gjitha nyjet që kanë mbetur në procesin e reformave. Kjo është shumë e thjeshtë”, tha Rama.

Top Channel