I dërguari i Fyles në Tiranë

30/05/2012 23:00

Komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka deklaruar se po ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri, në veçanti proçesin për zgjedhjen e presidentit.

Në një intervistë për Top Channel, zoti Fyle i ka bërë sërish thirrje klasës politike shqiptare që të veprojë me përgjegjshmëri.

TCH: Pas afatit të 24 majit, Shqipëria sot dogji raundin e parë për të zgjedhur një president për vendin. A po i ndiqni zhvillimet dhe sa njiheni me qëndrimet e palëve, pasi ndërsa ju vijoni të përsërisni mesazhet, vendi vijon të kapërcejë afatet kohore?

Shtefan Fyle, komisioneri europian për Zgjerimin e BE-së:

“Sigurisht që po i ndjek zhvillimet në Shqipëri, e veçanërisht tepër ngushtë në lidhje me proçesin e zgjedhjes së presidentit. Unë jam në dijeni të rëndësisë së 24 majit dhe e di shumë mirë se çfarë ndodhi apo çfarë nuk ndodhi më 30 maj.

Jam gjithashtu plotësisht i qartë për çfarë thashë kur isha në Tiranë pak kohë më parë, se nëse nuk gjendet një marrëveshje përfundimtare për ‘paketën e nëntorit’ para 24 majit, atëherë në vend të zgjidhjes ajo mund të kthehet në pjesë të problemit.

I takon vetëm partive politike në Shqipëri, i takon mazhorancës dhe i takon opozitës që të ndalojnë që kjo çështje të kthehet në pjesë të problemit. Iu takon atyre të japin rezultate për zgjedhjen e presidentit në një mënyrë që përputhet me gërmën dhe frymën e Kushtetutës.

U bënë angazhime të rëndësishme gjatë vizitës sime të fundit në Shqipëri dhe unë kam besim se politikanët dhe partitë politike do të bëjnë maksimumin për të dhënë rezultate sipas angazhimeve.

Unë jam sigurisht i gatshëm të jap çfarëdolloj ndihme. I kam kërkuar drejtorit të përgjithshëm për Zgjerim të shkojë shpejt atje për të garantuar se nëse ka diçka që mund ta bëjmë ne, për të ndihmuar në kapërcimin e kilometrit të fundit për arritjen e marrëveshjes mbi ‘paketën e nëntorit’, në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për të gjetur me të vërtetë një zgjidhje”.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel