“Shqip”, kush do të jetë presidenti i ardhshëm?

28/05/2012 00:00

Të mërkuën zhvillohet  votimi i parë në parlament për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së ardhshme të vendit. Por kur kanë mbetur edhe pak orë nga kjo seancë, për publikun nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare, s’ka asnjë emër përvec hamendësimeve të mediave të nisura sidomos nga deklarata dhe këmbëngulja e kryeministrit Berisha, se presidenti i ardhshëm i vendit do të jetë një emër nga drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike.

“Shqip” i së hënës nisi me analizën e emrave apo kandidaturave të mundshme për president . Marrë shkas nga letra e Nikollë Lesit drejtuar Ismail Kadaresë, ku e ftonte të bëhej President i Republikës e “të nxirrte vendin nga kriza politike”, të ftuarit në panel, analistët politikë, Lutfi Dervishi, Mustafa Nano, Henri Çili dhe deputetët Mark Marku vlerësuan figurën e Kadaresë, por  arritën në përfundimin se Kadare President është një mision i pamundur, kjo për shumë arsye.

“Pa i rënë rrotull fjalës e që të mos lodh lexuesin, edhe Ju, më lejoni t’ju drejtohem hapur: Duhet të pranoni kandidaturën e Presidentit të Republikës!… Ndaj Ju, i Madhi Kadare, duhet të pranoni ose edhe vetofroheni për President se i bëni nder Shqipërisë, por edhe vetes Tuaj. Fjala vetofrim mund të ketë marre nje konatacion të keq gjatë këtyre muajve qëkur u vetofrua një njeri me emrin Fatos Nano, porse harrojeni atë, siç edhe e kemi harruar të gjithë. Nganjëherë del një ambasador dhe ia lakon emrin dhe bën gabimin më të madh diplomatik, pasi zoti Nano, dikur e në një kohë, akuzohej nga ata qe sot edhe mund ta propozojnë si “njeri që korrupton çdo njeri e çdo ambasador”. Dikur!”, thuhet ndër të tjera në letrën e hapur të Nikollë Lesit adresuar shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare e të publikuar në shtypin e ditës në vend.

Ismail Kadare

Për deputetin e Partisë Demokratike, Mark Marku Ismail Kadare për president është një emër i padiskutueshëm. “Një personazhi si Kadare është normale që t’i thuhet, t’i bëhet ftesa për President.  Por të gjithëve ne ai na ka lënë të kuptojmë që nuk dëshiron të vihet në krye të shtetit”, tha Marku.
Në të njëjtën linjë vijoi edhe arsyetimi i analistit Lutfi Dervishi i cili tha se “posti i Presidentit është shumë i vogël për Kadarenë”.

Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri nga Selia Rozë tha se politika t’i jepte vetes mundësi të diskutonte për kandidatin e presidentit në këtë frymë të opozitës, duke u ulur në tryezën e bisedimeve edhe për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe imunitetin në nivel kryetarësh. “Ne shpresojmë që kryeministri dhe mazhoranca të reflektojë për hir të integrimit të Shqipërisë”. Reforma zgjedhore, ajo paralmentare, zgjedhja e presidentit, kufizimi I imunitetit.

Ndërsa analisti Mustafa Nano vlerësoi se emri i Kadaresë ka 22 vite me radhë që përflitet president i Republikës, por sipas tij më shumë ky emër artikulohet këtu, sa herë që klasa politike është e paaftë të nxjerrë një emër konsensual. “Kadare e ka shprehur qartë që është shkrimtar”, tha Nano, duke nënkuptuar se Kadare ka refuzuar dhe refuzon postin e Presidentit.

Jozefina Topalli

Prej muajsh në media qarkullon emri i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli si presidentja e ardhshme  e vendit, kjo më shumë nisur nga deklaratat e kryeministrit Berisha se presidenti do të dalë nga drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike.

Për analistin Mustafa Nano askush s’e di se sa mundësi ka, por me 71 vota mund të zgjidhet: “Ka qendrime të ndryshme të mazhorancës. Mendoj që edhe Berisha është bindur se vendimi për të kandiduar një figurë të lartë të PD, si Topalli, nuk të con gjëkundi. Si kryetare e parlamentit nuk ka ditur të drejtojë ashtu si duhet, nuk është sjellë mirë edhe jashtë parlamentit, jo vetëm në parlamenti. Këto janë gjëra që nuk i kanë hije një presidenti. Brenda parlamentit është sjellë në një mënyrë shumë partizane”.

Ndërsa deputeti demokrat Mark Marku tha: “Ka një keqkuptim të madh në opinion, që bëhet me qëllim në lidhje me emrin e zonjës Topalli. PD nuk ka deklaruar zyrtarisht emra, ka thënë vetëm që do të jenë përfaqësuesit e saj në garën për president dhe duke bërë këtë ka respektuar procesin. Zonja Topalli është një kandidaturë serioze. Kur gjithë opinion publik, artikulon emrin e saj, kjo e bën akoma më shumë serioze. Është një figurë politike që për dy mandate është kryetare e Kuvendit, është një kandidaturë serioze”.

Ndërsa deputeti socialist, Saimir Tahiri shpjegoi edhe njëherë se pse PS kundërshton kandidaturën e Topallit: “Refuzimi Topallit s’ka lidhje me gjininë apo të shkuarën e saj, ka të bëjë me trajtën që i ka dhënë drejtimit të Kuvendit, njeriu që ka abuzuar më shumë në drejtimin e parlamentit e përmendur edhe nga raportet e Komisionit Europian.Eemri i saj sigurisht që mund të vijë në parlament, por ajo përfaqëson modelin më të keq të ushtrimit të detyrës. Ne e kemi theksuar dhe rikthesuar që ky proces nuk duhet të cojë në zgjedhjen e ministrit të radhës. Rreziqet e Presidentit, duke mos e konsideruar si finalizim, kërcënohet garancia për pavarësinë e presidencës dhe garancia që institucionet e pavarura të shtetit nuk do të bien në humnerën e cilëso mazhorance. Jemi në momentin kur Berisha t’i përgjigjet ftesës sonë për tryezë, tryezë e kryetarëve të partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit. Nuk do ta bojkotojmë këtë proces, por kërkojmë të biem dakort , mjafton vullneti”.

Ndërsa për analistin Henri Çili: Topalli ka vlera autentike, qendrueshmëri politike, shumë prej arritjeve të saj i ka tipike. Të gjtihë ata që e kanë ndihmuar deri këtu, janë arsye që Topalli nuk duhet të jetë në kryet të shtetit. Topalli është një presidente shumë e keqe në bazë të frymës së Kushtetutës, atë cfarë shkruhet në Kushtetutë. Topalli do t’i jepte një frymë partizane institucionit të Presidentit, nuk është e përshtatëshme për presidente. Presidenti i republikës duhet i qetë, i moderuar. Nano do të ishte një kandidaturë e mirë, ish-kryeministër”.

Lutfi Dervishi vlerësoi se zgjedhja e presidentit është kryesisht në dorë të kryeministrit Berisha dhe shtoi se duhet të ishte dalë më herët me emra konkretë të kandidaturave: Zgjedhja e presidentit është 70 përqind nga Berisha, 20 përqind Meta dhe 10 përqind nga Rama. Janë vetëm 3 politikanë që kanë folur për këtë cështje, Nano, Ceka dhe zoti Milo që tha që s’jam kandidat. Publiku duhet të kishte emrat për të parë se me cfarë misioni vijnë këta njerëz në krye të shtetit. Kemi mefshtësi dhe negativitet nga mungesa e një emri konkret për president. Kandidatura e zonjës Topalli për mendimin tim ka një lloj gjyqi pa u shpallur ende”.

Marrëdhëniet PD-LSI, përgjigjja negative e Berishës për bisedime

“Në takimin me LSI-në, pati vendosmëri të plotë për t’i qëndruar marrëveshjes dhe vlerësim i madh për marrëveshjen qeverisëse të shtatorit 2009, që ekziston midis dy forcave tona politike. Referim i qartë në nenin e saj që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Shqetësimi ynë dhe i aleatëve tanë është pse jo t’i japim vendit jo një president pazaresh, por përkundrazi një personalitet të besuar nga shqiptarët. Mbi këtë bazë, me këto qëllime ne ju drejtuam Partisë Socialiste, jashtë çdolloj paragjykimi apo tendence për ta shndërruar kandidaturën e Presidentit në një plaçke tregu.

Në vend të përgjigjes me shkrim, Edi Rama nisi editorialin e radhës, në të cilin betohet solemnisht, se do të rrëzojë këtë qeveri me çdo kusht dhe se rrëzimi dhe vetëm rrëzimi i qeverisë është problemi kryesor i këtij vendi dhe i Edi Ramës, sipas tij, është zgjedhja e Presidentit dhe çdo gjë duhet të jetë në funksion të rrëzimit të qeverisë.  Pasi bllokoi dy vite me radhë statusin e vendit kandidat, pasi organizoi sulmin me dhunë ndaj Kryeministrisë dhe përpjekjen për përmbysjen e qeverisë me dhunë, tani dëshmon se ka vetëm një qëllim madhor, rrëzimin e qeverisë po pati mundësi dhe që s’e realizon dot, gjë të cilën ka dy vjet që i mashtron bashkëpunëtorët e tij, se rrushi do të piqet në pranverë, do piqet në vjeshte…po rrushi i tij mbeti i papjekur.

Çfarë do të sjellë takimi me mua për imunitetin? Nuk e ka problemin me Sali Berishën, e ka problemin me klubin e miliarderëve të Partisë Socialiste. Një axhendë bën me faktorin ndërkombëtar, tjetrën e bën me miliarderët këtu. Kjo është e vërteta. Atëherë çfarë është kjo? Kjo është vetëm qëndrim bllokues.

Apeli im është shumë i sinqertë. I bëj apel zotit Rama, në interesin më të mirë të vendit, le të angazhohemi për t’i dhënë Shqipërisë një president të besueshëm, një president, i cili u fakton shqiptarëve se dinë të qëndrojnë mbi forcat politike. Oferta e ime dhe e koalicionit qeverisës është shumë e sinqertë dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në negociatat më serioze, por jo në kurthe meskine si këto dhe ultimatume vetëm e vetëm për të bllokuar”, kjo ishte deklarata e kryeministri Berisha para grupit parlamentar të PD-së.

Pavarësisht refuzimit të kryeministrit Berisha për t’u ulur në tryezë me Ramën, deputeti socialist, Saimir Tahiri deklaroi se ftesa mbetet: “Ftesa mbetet. Kjo e sotmja mund të ishte përgjigja më e keqe që mund të jepte kryeministri. Në ato që tha ishte spekulim. PS s’ka vendosur kushte dhe as ultimatume, as ka kërkuar rrëzimin e qeverisë. PS këtë qeveri e hedh me votë në cdo votim. PS ka për qëllim t’i japë vendit një president mbi palët, konsensual. Kemi kërkuar një tryezë të partive politike parlamentare. E para është Presidenti. Habitem pse kryeministri e gjen të papërshtatëshme, e dyta, s’kemi rënë dakort në Komisionin e Reformës Zgjedhore, e treta Reforma Parlamentare, e katërta është imuniteti. Kjo është cështje spekulative. Duhet të biem dakort për Presidentin dhe për cështje të tjera që s’janë prona të klasës politike”.

Por për deputetin demokrat, Mark Marku nuk ekziston dëshira për dialog dhe konsensus nga ana e PS: “Në momentin që palët shkojnë për marrëveshje, nuk shtojnë kërkesat, por i pakësojnë kërkesat që të arrihet një marrëveshje. Shtimi i kërkesave është një pretekst që marrëveshja të mos realizohet. PS nuk dëshiron zgjedhjen e Presidenti pasi mendon se mund të cojë në një krizë politike, bllokim të jetës parlamentare, ndoshta nuk duan që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Fakti që e kushtëzon marrëveshjen për Presidentin, me katër pika të tjera, kërkon refuzmin e statusit të kandidatit”.

Analisti Lutfi Dervishi tha: “PS kërkon modalitete, proces, jo emra. Një pikëpamje është që PS nuk imponohet dot me numra dhe mund të imponohet me emra, ndoshta duke propozuar emra të së djathtës, që ajo mendon se përshtaten me detyrën e Presidentit. PD u hodh në sulm me mendjen e 71 votave, ndërsa PS nën dritën e aleancës së re me LSI synon 71 votat për të zgjedhur kryeministrin e ri”.

Deputeti Saimir Tahiri vlerësoi se vec Presidenti, me rëndësi jetike mbeten edhe reformat e tjera për të cilat ka nevojë vendi në mënyrë që të sigurojë statusin e vendit kandidat: “PS nuk i ka pronë reformat, parlamentare, zgjedhore apo imunitetin, as zgjedhjen e Presidentit. Këto janë cështje që rëndojnë njësoj mbi politikën shqiptare. Ne kemi këto detyrime. PS ça kishte në dorë i miratoi duke dhënë votën për projekt/ligjet me shumicë të cilësuar, i miratoi nëpërmjet një konsensusi të mundëshëm. Këto janë cështje që do gjykohet Shqipëria në vjeshtë për marrjen ose jo të statusit”.

Përçarje PD-LSI?

Në deklaratat publike të kryeministri Berisha dhe aleatit të tij kryesor në qeveri, Ilir Meta mbi cështjen e zgjedhjes së Presidenti, vihet re një mospërputhje, jo pak e thellë. Nga njëra anë është kreu i PD-së që këmbëngul që presidenti do të dalë nga Selia Blu, edhe pse s’i ka 71 votat pa LSI-në, ndërsa në krahun tjetër janë deklaratat e Metës për një presidenti konsensual që të kishte edhe bekimin e Partisë Socialiste.

Por për deputetin e mazhorancës, Mark Marku e gjithë kjo është zhurmë mediatike kot: “Një nga pikat e marrëveshjes mes PD dhe LSI për bashkëqeverisje është edhe zgjedhja e Presidentit. Ne i dimë deklaratat e LSI-së. LSI kërkoi konsensusin e opozitës pas takimit Meta-Rama. LSI synon rritjen e peshës së vet politike. Presidenti është një arsye e qenësishme për t’u prishur marrëveshja e koalicionit”.

Ndërsa për Lutfi Dervishin: “Pak ditë më parë Meta deklaroi që LSI është një parti që i respekton marrëveshjet. Të dy, si Berisha ashtu dhe Meta kujtojnë marrëveshjen. Nga daljet në televizor duket që ka divergjenca të mëdha në këtë cështje, në zgjedhjen e presidentit. Është një përsëritje e 2007-ës, pak a shumë, edhe nëse shkohet drejt 71, mazhoranca i ka shanset më të mëdha për të zgjedhur Presidentin”.

Për Mustafa Nanon krisja mes mazhorancës duket që në takimin Meta-Berisha që sipas tij është starti i divorcit të ardhshëm, nisur nga kohëzgjatja e tij.

Ndërsa Henri Çili shprehu sigurinë që nuk ka shanse për zgjedhje të parakohëshme. PS, sipas tij, duhet të paraqesë mocion mosbesimi për qeverinë në parlament dhe se kjo do të shëndoshte demokracinë parlamentare.

Deputeti socialist, Saimir Tahiri përsëriti qendrimin e socialistëve që procesi s’mund të jetë përjashtues. Sipas tij s’ka pse PS ta ndjejë veten në periferi të procesit.

Në mbyllje analisti Lutfi Dervishi tha se qëllimi i PS është të shkojë në zgjedhje me reformën zgjedhore të bërë, të përgatitet për të shkuar në zgjedhje në rast të moszgjedhjes së presidentit, në zgjedhje të parakohëshme. Kjo sipas tij, duke që nga paraqitja e vetëm katër tre kërkesave në tryezën me PD-në, duke lënë kërkesat e tjera që kërkohen nga ndërkombëtarët për marrjen e statusit kandidat.

Top Channel