Mrekullitë e “rafting” në kanionet shqiptare

28/05/2012 20:20

“Pasdite” në “Top-Channel” u përfshi të hënën në një aventurë të mbushur me adrenalinë, në një prej zonave më të bukura, njëkohësisht dhe më të eksploruara të Shqipërisë, në kanionet e Osumit në Çorovodë.

“Rafting”, siç quhet ndryshe sporti që sfidon rrymat e forta nëpërmjet një gomoneje të drejtuar nga disa persona, përgjatë një rruge përrallore prej 13 kilometrash në lumë, është shndërruar në një prej tërheqjeve më të veçanta të zonës së Skraparit.

Pikënisja e kësaj aventure është edhe atje ku merr jetë edhe vetë kalimi i lumit mes shkëmbinjve, në një rrugë 40 minuta me makinë nga qyteti i Skraparit. Ndonëse një rrugë e pashtruar si rëndom në zonat e thella të Shqipërisë, cilësia e asfaltit as nuk bie në sy, në mes të një natyre që të shtang me bukurinë e saj përrallore.

Përgjatë rrjedhës, përveç kanioneve që ngrihen mbi lumë duke krijuar thuajse një univers paralel, të bie në sy fryma e fortë e grupit, që formohet midis guidës dhe rremëtarëve, pasi të gjithë duhet t’i binden urdhërave dhe të punojnë si një skuadër e vetme, për të shijuar këtë aventurë të rrallë.

Gjatë përshkrimit të lumit, nuk janë vetëm kanionet dhe vetë Osumi ai që të bën për vete, por edhe shpellat mijëravjeçare apo ujëvarat, si ato që shumica prej nesh mund t’i kenë parë vetëm në filma.

Jo më pak i bukur për t’u përshkruar është edhe kanioni magjepsës i Vjosës, në këmbët e malit të Nemërçkës, ku “rafting” ka nisur gjithashtu të aplikohet në masë.

Kamerat e “Top-Channel” identifikuan disa grupe të huajsh, të ardhur në Shqipëri me qëllimin e vetëm për t’iu dedikuar kësaj aventure të pabesueshme.

Top Channel