”Ringjallja” e Rikard Zemërluanit

25/05/2012 11:50

Të gjithë të apasionuarit pas historisë mesjetare, njohin Rikardin e Parë të Anglisë, të njohur më mire si Rikard Zemërluani, si një prej figurave më të rëndësishëm të kohës.

Njeriu që jetoi në shekullin e XII, udhëhoqi një kryqëzatë të suksesshme që riktheu Jeruzalemin në kontrollin e krishterë, ndërsa mbahet mend për luftërat e shumta me Saladinin, i konsideruar edhe më sot si një prej mbretërve më të mëdhenj muslimanë që kanë ekzistuar ndonjëherë.

Ai gjithashtu hyri në histori për pushtimet e realizuara në Francë, në Itali apo në Qipro. Megjithatë, mënyra se si Rikardi ndërroi jetë në moshën 42-vjeçare në vitin 1199, ka qenë gjithmonë një objekt misteri për të gjithë historianët.

Sipas versionit zyrtar, ndërsa mbante të rrethuar një kështjellë në Francë, Zemërluani u godit nga një shigjetë.

Ndonëse plaga nuk ishte serioze, ajo u infektua dhe brenda disa ditësh ai ndërroi jetë. Megjithatë, teori të shumta konploti pretendojnë se Mbreti u helmua nga vetë bashkëpunëtorët e tij.

Për të përcaktuar një herë e përgjithmonë se çfarë vrau një prej monarkëve më të mëdhenj britanik të të gjitha kohërave, është thirrur në ndihmë një ekspert francez i mjekësisë ligjore, Philipe Charlier, i cili do të përcaktojë shkakun e vërtetë, duke analizuar një përbërje kockore që i është ofruar.

Aktualisht, Rikard Zemërluani prehet në një katedrale, në qytetin francez të Ruenit.

Top Channel