Mashtroi me të dhënat, padi kundër Facebook

23/05/2012 19:15

Dita-ditës po vërtetohet më shumë që kuotimi në bursë i Facebook nuk ishte një vendim i zgjuar i themeluesit të rrjetit social me 900 milion përdorues në mbarë botën, Mark Zuckerberg.

Të mërkurën, në gjykatën e Manhatanit u dorëzua një padi e investitorëve të pakënaqur të rrjetit social, të cilët akuzojnë Facebook dhe bankat që qendrojnë pas tij, se kanë fshehur shifrat e rritjes së kompanisë për disa investitorë, ndërkohë që të tjerë janë favorizuar që nga e premtja, kur rrjeti social trumpetoi hyrjen në Wall Street.

Investitorët paditës pretendojnë se Facebook ka fryrë artificialisht fitimet dhe parashikimet e të ardhurave, çka ka sjellë edhe rritjen fiktive të çmimit të titujve në ditën e parë të hyrjes në bursë.

Bankat garante të rritjes së Facebook reaguan duke deklaruar se të gjitha veprimet në bursë janë kryer sipas dokumentacioneve të nevojshme dhe në përputhje me ligjet.

Të premten që shkoi Facebook vendosi të kuotojë 1/5 e aksioneve të veta në bursën amerikane ku u vlerësuan me shuma stratoferike duke shkuar deri në 21 miliard dollarë.

Vlera e një titulli shkoi deri në 42 dollarë. Por në ditën e dytë në bursë, rrjeti social bie pikiatë, duke humbur deri në 13 përqind të vlerësimeve të ditës së parë. Oferta për titujt e Facebook ra nën 38 dollarë, që ishte edhe çmimi i dysheme i publikuar nga Mark Zuckerberg, të enjten, një ditë para kuotimit në Wall Street.

Investitorët nisën t’i shesin me shpejtësi në tregun e këmbimit “Nasdaq”. Edhe pse çmimi e rimori disi veten në orët e pasdites të së hënës, ai sërish mbeti në renie me më shumë se 10%, duke mbërritur në 35 dollarë për titull, çka do të thotë më poshtë se sa çmimi fillestar i 38,23 dollarëve.

Me pak fjalë, tentativa e shoqërise “Hi-Tech” në bursë nuk rezultoi ndonje sukses aq i madh, madje “Forbes” e fshikulloi ashpër duke e etiketuar “një dështim”.

Top Channel