Ligji për arsimin parauniversitar

23/05/2012 00:00

Deputët e mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Arsimit dhe Medias kanë vendosur të rishikojnë propozimin e Ministrisë së Arsimit për nenin 7 të projektligjit të arsimit parauniversitar.

Ministria e Arsimit ka kërkuar që në këtë nen të thuhet se  arsimi duhet të jetë laik, përvecse në shkollat private ku jepen lëndë fetare.

Halit Shamata, zv/ministër i Arsimit: Arsimi parauniversitar është laik, përvecsë në shkollat private, ku përvec lëndëve bazë, kurrikulës, zhvillohen edhe lëndë fetare. Ky është realiteti. Po të doni këtë, që përvecse lëndëve bazë laike, zhvillohen edhe lëndë fetare.

Mark Marku, nënkryetar i Komisionit të Arsimit dhe Medias: Unë i qendroj kësaj: ne do të marrim, absolutisht versionin që kanë shtetet europiane.

Deputetët e opozitës dhe të mazhorancës, kanë kërkuar që në këtë nen të thuhet vetëm që “arsimi është laik”.

Paulina Hoxha, deputete e PS: Në diplomat e tyre ose dëftesat e tyre, nuk pasqyrohen lëndët fetare. Unë marr në konsideratë një shkollë në Shkodër, e cila përvec fëmijëve katolikë, ka edhe fëmijë të besimit musliman dhe të besimit ortodoks dhe lënda fetare është me zgjedhje dhe nuk është e detyrueshme. Ndaj për mua më e drejtë, me e mirë mbetet kjo që arsimi parauniversitar është laik.

Gerti Bogdani, deputet i PD: Nëse dua të marrim formimin tim teologjik, shumë mirë marr lëndët me zgjedhje, por lënda me zgjedhje në këtë rast, nuk është pjesë e sistemit të arsimit parauniversitar në tërësi. Propozimi im është që arsimi parauniversitar është laik dhe nëse duhet pastaj, le të vëmë një pikë tjetër sqaruese në ligj.

Mark Marku, nënkryetar i Komisionit të Arsimit dhe Medias: Mund të ketë një abuzim, që të gjitha shkollat private mund të fusin lëndë fetare dhe në këtë rast problemi është tek nxënësit. Kështu që unë mendoj që ne ta lëmë të qartë këtë që arsimi parauniversitar është laik në mënyrë që të mos dëmtojmë dhe institucionet fetare. Të përcaktojmë me një nen të posacëm se si rregullohen shkollat fetare. Tani të shikojmë se si rregullohet kjo në vendet europiane që nuk janë unifetare, multifetare, multikulturore dhe nuk ka asnjë problem.

Në Komisionin e Arsimit dhe Medias janë miratuar vetëm 20 nene të projektligjit të arsimit parauniversitar i cili është duke u rishqyrtuar nen për nen.

Top Channel